Rama reagon për grevën e naftëtarëve: Hiqni dorë nga ultimatumet!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për grevën e naftëtarëve në Ballsh. Përmes një postimi në Twitter, Rama paralajmëron naftëtarët që të heqin dorë nga ultimatumet dhe të ulen e të bisedojnë bashkërisht. Më tej kreu i qeverisë shton se greva është e panevojshme.
”U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja! Ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t’ua qajnë ata që ua shkaktuan. I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm”,- shkruan Rama në Twitter.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i grave greviste, të cilat kanë thënë se nuk dalim nga greva nëse Rama nuk shkon t’i takojë dhe të flasë me ta. Më tej, ato kanë thënë se nuk i besojnë Ramës, pasi edhe në 2017, ai u premtoi rritje të pagave.
”Ta harrojë kryeministri që të ndalim grevën ne, po nuk erdhi këtu. Këtu do vdesim, pse kjo është zgjidhje? Nuk i besojmë, të gjitha mashtrime. Janë bërë të gjithë të pabesueshëm. Ai dhe Balluku të vijnë. S’ka reaguar fare, pse ky është reagimi, të dalim nga greva”, – tha gruaja.
”Deri në vdekje. E vdekur do dal, dua të drejtën time. Dua rrogat e prapambetura dhe rifillim të punës. Sytë e veshët i kemi vetëm tek Rama dhe Balluku. Kemi lënë familjet, jemi shumë keq nga gjendja ekonomike dhe shëndetësore.”- tha grevistja.
”Kryeministri na ka thënë në 2017 vetë që do i marrim lekët. Po asgjë. Vajza ime po bën gati valixhen për të shkuar në shkollë, por e ka nënën në grevë. E lëmë grevën po na i hedhin lekët. Vetëm ai na jep zgjidhje, të bëjmë diçka sipas rregullave, të hedhi lekët që të hamë dhe bukët”- deklaroi naftëtarja.
I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm!
— Edi Rama (@ediramaal) October 19, 2020