Rama rrethon Tiranën. Policia pika kontrolli në dalje të Korçës
Qeveria ka mbyllur Tiranën, nuk lejohen hyrjet. Pas Elbasanit, në pika të ndryshme të qarkut Korçë janë ngritur postblloqe policie për të kontrolluar dhe monitoruar çdo lëvizje nëse do të ketë tentativa për t’u nisur drejt kryeqytetit. Burime nga dega e PD-së Korçë bëjnë të ditur se po diskutohet për një nisje të mundshme të qytetarëve drejt Tiranës. Pavarësisht se kanë shprehur mbështetjen e tyre ata shprehen se mungesa e një autorizimi është ajo që i ndalon për nisjen në mbështetje të protestuesve.
Të gjithë automjetet që destinacion kishin sot mbërritjen në Tiranë nga Elbasani janë ndaluar në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Policia ka bërë ndalimin dhe bllokimin e tyre në këtë vendndodhje, duke ndaluar udhëtimin drejt kryeqytetit, që sot është zgjuar i zhurshëm, për shkak të prishjes së Teatrit Kombëtar.
Automjetet janë bllokuar anash rrugës, ndërsa nuk raportohet për përplasje të drejtuesve të tyre me policinë. Të pranishëm në rrethrrotullimin e Bradasheshit janë edhe simpatizantë të PD-së si dhe ish-deputeti Luciano Boçi, të cilët mendohet se janë nisur për të protestuar për prishjen e teatrit.