Rama si aleat i spekulantëve në krizën e energjisë

Nga: Enton Abilekaj

Nuk dihet qëllimi i vërtetë i daljes së djeshme të Kryeministrit për të lajmëruar krizën energjitike. Ende pa u rritur cmimet, pa u miratuar nga qeveria, apo pa u bërë fakt nga operatori i vetëm në treg, që është OSHEE, ai bëri një paralajmërim të zymtë për dimrin dhe pastaj u tha shqiptarëve që të mos shqetësohen sa të jetë ai. Ky thelb, ngatërrestar i fjalës së kreut të qeverisë, nuk kishte detaje si strategjia që do të ndjekë Shqipëria në krizën globale, por vetëm masat mbrojtëse që i drejtohen shtresave në nevojë, duke e ngatërruar akoma më shumë qëllimin e daljes para publikut.

A doli Kryeministri për të shpallur një situatë të jashtëzakonshme për të përgatitur publikun për kursim të energjisë, bizneset për të gjetur burime alternative, ose për të ndryshuar politikat e përdorimit të energjisë, kompanitë prodhuese për ndryshim të kontratave me shtetin shqiptar, importuesit e naftës dhe gazit për të mos abuzuar me cmimet dhe cilësinë, eksportuesit për të mos nënshkruar kontrata afatgjata?

As në pjesën e parë panik-ndjellëse, as në pjesën e dytë që, ndërsa analizonte si Bloomberg News situatën në botë, vetëm justifikonte rritjen e ardhshme të çmimit, Edi Rama nuk foli fare për strategjinë. Nuk bëri transparencë për situatën energjitike në vend, sa prodhon KESH, sa prdhojnë Hidrocentralet e medhenj dhe të vegjël jopublikë që janë ndërtuar, sa transmeton OST dhe sa importon OSHEE. Nuk foli as për prodhimin e naftës dhe të gazit, situatën e Albpetrolit dhe kompanive private që punojnë në Fier-Ballsh dhe Patos, kur janë burime të mëdha të energjisë fosile, nuk foli as për energjinë fotovoltaike që është pjesërisht e përhapur dhe pjesërisht në një proces që nuk dihet sa do zgjasë.

Përpara se të hidhte panikun si gazin lotsjellës në protesta, Kryeministri mund të jepte disa shifra për Shqipërinë, në vend të shkarkonte nga internet të dhënat e Reuters, WSJ, apo Bloomberg. Në një vit normal, hidorcentalet publike në vend prodhojnë rreth 5 terrawat-orë, aq sa është edhe shpenzimi për nevojat familjare. Për shkak të mungesës së reshjeve, kjo shifer mund të ulet në përqindje të vogël, por nuk mund të shkaktojë rritje të ndjeshme të cmimit për konsumatorët familjarë.

Pjesa shtesë e energjisë që kërkohet nga bizneset dhe kryesisht importohet, nuk ka pse të trajtohet njësoj si ajo e mbrojtura. Del nga fasha e përcaktuar dhe i drejtohet tregut, që më pas mund të reflektohet në cmime. Kjo në rastin kur Statkraft që prodhon 700 gigawat orë, ose sa 15 për qind e prodhuesve publikë, nuk do ta eksportonte energjinë që prodhon në Devoll, në mënyrë që të mos rriteshin kostot e transmetimit të energjisë së importit.

Kjo sepse OST, bashkë me OSHEE, nuk kanë një bilanc sot, që të tregojë se sa janë humbjet në rrjet pas 7 viteve investimesh. Sa ndikojnë humbjet në rrjet, jo vetëm në furnizim, por edhe në çmimin e energjisë. Për të vazhduar pastaj me naftën dhe gazin, ku Albpetrol mund ta bënte Kryeministrin më të informuar për vendin se për Botën, duke i dhënë sasinë e energjisë që prodhon, koston e naftës krudo dhe pastaj një kosto të përafërt nëse përpunimi do të bëhej në rafinerinë e Ballshit që u mbyll sërish për shkak të korrupsionit të pafre me pasuritë kombëtare, sidomos në industrinë minerare. Bankers Petrolium dhe Stratcraft si prodhuesit më të mëdhenj të energjisë, nëse shpallet situata e jashtëzakonshme, mund të detyrohen të mos e eksportojnë energjinë që prodhojnë, deri në kapërcimin e krizës.

Hidrocentralet e vegjël shesin sot deri në 60 për qind të energjisë që prodhojnë. Për shkak të çmimit OSHEE nuk ua blen 40 për qind të prodhimit, që shkon dëm. Kryeministri mund të kishte marrë një raport nga OSHEE se sa është kjo vlerë dhe çfarë efekti, sado të vogël ka në treg. Pas këtij bilanci të prodhimit dhe kostos së tij, duke shtuar vlerën e rritur ndjeshëm të energjisë, Kryeministri mund të fliste me shifra për një rritje cmimesh.

Nuk e bëri këtë por përmendi Spanjën dhe Italinë, që bashkë me gjithë vendet e BE, varësinë nga importi e kanë të lartë dhe detyrimisht rritjen e çmimeve do ta kenë po aq të lartë. Ndërsa Shqipëria që mbulon me prodhim të paktën 70 për qind të nevojave, me gjithë abuzimet, nuk ka pse të ketë rritje të ndjeshme. Në kontekstin e fjalës së Kryeministrit, ishte justifikimi i rritjes së cmimit, jo përballimi i situatës. Ashtu siç lejoi rritjen e çmimeve të shportës, duke mohuar edhe indeksimin apo mbrojtjen e shtresave në nevojë, ashtu do lejojë dhe nxisë rritjen e çmimeve të energjisë dhe gjithë zinxhirit që krijohet, këtë herë duke mbrojtur shtresat në nevojë dhe duke lënë zbuluar gjithë të tjerët.

Mbrojtja e shtresave në nevojë nga cmimi i energjisë, gjithsesi nuk është e mjaftueshme, pasi vërtetë nuk do të paguajnë më shumë energji, por do të paguajnë më shumë për gjithë produktet e tjera jetike që do të preken nga rritja e energjisë.

Kjo ngjan më shumë me një strategji për të rritur çmimet dhe taksat në vitin e parë të mandatit, për të forcuar edhe pak grupin e biznesmenëve – ortakë në kurriz të gjithë të tjerëve, për të innstaluar më shumë klikën, se sa me shqetësimin e një Kryeministri për qytetarët. Vetë premtimi i tij që do ta kalojmë njësoj si tërmeti dhe pandemia, tregon se edhe këtë herë, si Qeveria do të veprojë si një tufë spekulantësh, që përfiton nga krizat për tu pasuruar më shumë. Derisa një ditë të mbeten pa financuesit e këtij projekti. Ata po ikin nga sytë këmbët nëpër Europë, ndërsa ne që mbetemi paguajmë cdo vit e më shumë për të ngopur klikën e babëzitur.

SHKARKO APP