Rama: Të thuash që Shqipëria sot ka më shumë korrupsion, është të flasësh përçart
Kryeministri Edi Rama thotë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian vijon sipas planit dhe nuk është bllokuar, pavarësisht zërave që qarkullojnë në publik. Gjatë një aktiviteti për prezantimin e vendeve vakante në administratën publike, Rama theksoi se pretendimet për ndërprerje apo pengim të negociatave janë të pavërteta dhe burojnë nga keqkuptimi i procesit. Sipas tij, negociatat nuk janë një procedurë e thjeshtë, por një proces i vazhdueshëm testimi dhe vlerësimi mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare.
Ai nënvizoi se aktualisht vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme, ku po zhvillohen diskutime intensive me partnerët europianë, pas mbledhjes së pyetjeve nga shtetet anëtare në fund të muajit mars. Vendimmarrja pritet të vijë pas përfundimit të këtyre diskutimeve. Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te çështja e korrupsionit, duke theksuar se perceptimi për rritje të tij nuk qëndron. Sipas kryeministrit, fakti që sot flitet më shumë për korrupsionin lidhet me rritjen e transparencës dhe vëmendjes publike, dhe jo me një rritje reale të fenomenit.
Fjala e plotë
Faleminderit, Adea! Delina, faleminderit! Më vjen mirë që sot ne hapim një dritare të re për të gjithë ata që kanë ambicien të kontribuojnë në sektorin publik. Është një dritare e unifikuar ku, siç e prezantuan ministret, jepet një pamje në 360 gradë e të gjitha mundësive të punësimit në sektorin publik, jo vetëm për shërbimin civil, por për gjithë punonjësit në sektorin publik dhe nga ana tjetër i krijohet mundësia në kohë reale kujtdo që synon të kontribuojë në sektorin publik që jo vetëm të ketë një pamje të vendeve në dispozicion aktualisht, por dhe të ndjekë në dinamikë se si shkon një proces i caktuar ku ai vetë, ajo vetë, është e interesuar.
Është një hap i rëndësishëm, sepse krijon më shumë transparencë, krijon më shumë ndërveprim mes individit në kërkim të një mundësie dhe shtetit që ka nevojë dhe prandaj i ofron këto mundësi për të mundur të rekrutojë më të mirët dhe nga ana tjetër, përfshin për herë të parë të gjithë sistemin tonë publik në një pasqyrë ku të gjitha mundësitë janë të ekspozuara. Më vjen shumë mirë të them që, ndryshe nga çfarë unë vetë, dhe e kam thënë këtë në më shumë se një rast, po nuk besoj se është asnjëherë mjaft që ta përsëris, ndryshe nga çfarë dhe unë vetë e kam parafytyruar administratën tonë publike përpara se sa ne të ndërmerrnim procesin e negociatave, administrata publike ka provuar të kundërtën e shumë paragjykimeve që kanë rënduar mbi të në vite.
Në ç‘kuptim? Në kuptimin që në ndërkohë që perceptimi për administratën publike ka qenë goxha i rënduar nga paragjykimet, të cilat patjetër që nuk kanë lindur në boshllëk, por kanë marrë shkas nga sjellje, nga veprime, nga akte që ndonjëherë janë ekspozuar dhe publikisht në të gjithë shëmtinë e tyre, sidoqoftë administrata, ajo pjesë dërrmuese e njerëzve që nuk bëjnë lajm, që shkojnë përditë në punë për t’i shërbyer shtetit në një pozicion të caktuar, ka përballuar një sfidë, një test, një provim të jashtëzakonshëm, duke e përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet maksimal në të gjithë procesin e deri këtushëm të negociatave dhe për hir të vërtetës e dinë shumë mirë kolegët dhe koleget me të cilat unë bashkëpunoj nga afër, që e kam shprehur shumë herë përpara se sa të vendosej zyrtarisht çelja e negociatave, që dakord do arrijmë t’i hapim negociatat, po pastaj si do ja bëjmë? Kush e di se sa të vështirë do ta kemi dhe o Zot, na ruaj se çfarë perceptimi do krijojmë edhe tek ata në Bruksel, kur të ulemi në tryezë me ta, me administratën që kemi. Dhe ka ndodhur për surprizën e madhe të shumëkujt përfshirë dhe timen, krejt e kundërta.
Ka ndodhur që pikërisht qindra e qindra punonjës të kësaj administrate të cilët janë angazhuar në këtë proces shumë të ndërlikuar që prek të gjithë sektorët, e kanë përfaqësuar shtetin shqiptar me shumë dinjitet dhe kanë fituar respektin, vlerësimin dhe besimin e palës tjetër. Dhe pala tjetër është një palë që është stërvitur me dekada për t’ia nxirë jetën vendeve që janë ulur në atë tryezë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian, për t’ia nxirre jetën në kuptimin më të plotë të fjalës, duke kërkuar deri në detaj llogari për çdo sektor. Dhe kur ajo palë arrin të shprehë ato vlerësime atëherë vërtetë ne kemi arsye që të jemi shumë të inkurajuar dhe shumë besimplotë se kemi mundësi ta ndërtojmë në Shqipëri një administratë publike dinjitoze të standardeve europiane. Kur them këtë e them sepse është shumë e vështirë të ndërtosh një administratë publike dinjitoze me standarde europiane në një vend të vogël me traditën e varfër që ka Shqipëria në aspektin e shtetit, me lidhjet e panumërta krahinore e farefisnore që ka Shqipëria e të tjera.
Dhe është pikërisht falë kësaj administrate që edhe shumëçka tjetër reflektohet pozitivisht. Është pikërisht falë kësaj administrate që procesi i negociatave ecën përpara me sukses, me një shpejtësi unike jo vetëm për meritën tonë, por dhe për kontekstin në të cilin ai zhvillohet gjeopolitikisht dhe është edhe falë kësaj administrate që vendi zhvillohet dhe rritet në çdo aspekt, pavarësisht problematikave që nuk mungojnë dhe pavarësisht çështjeve që kanë nevojë të adresohen përditë. Ne sot jemi në kushtet kur kemi hapur të gjithë kapitujt, kur po diskutojmë dhe po ballafaqohemi me Komisionin Europian në krah, se Komisionin Europian e kemi në krah, çka është shumë e rëndësishme dhe përballë kemi shtetet anëtare për piketat e ndërmjetme që janë një moment kyç në negociata dhe për të cilat Komisioni Europian ka dhënë vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë.
Flitet e përflitet lart e poshtë për arsye të mosarsyes se negociatat janë bllokuar, janë ndaluar, janë penguar. Kjo është totalisht e pavërtetë. Kush i thotë këto nuk e ka fare idenë se për çfarë flet. Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, por janë një proces testimi i vazhdueshëm dhe provimesh të vazhdueshme dhe ky provim që tani zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare është një provim kyç, por ama nuk ka absolutisht, zero motiv për të folur për bllokim, për pengim. Jemi totalisht sipas agjendës së përcaktuar. Prilli është muaji i diskutimeve intensive pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare dhe pas diskutimeve do të vijë dhe vendimmarrja. Në ndërkohë që, nga ana tjetër edhe ekonomia, për të cilën foli ministrja, rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe për shkak se kemi një administratë shumë më të mirë pozicionuar në raport me proceset që duhet të kryejë për ta ndihmuar rritjen e ekonomisë. Nuk mjafton absolutisht që qeveria të marri vendimet e duhura. Vendimet duhen zbatuar. Nuk mjafton absolutisht që ekonomia në vetvete të rritet ose të ketë tendencën të rritet, nëse kjo nuk reflektohet në të ardhurat për qytetarët dhe për shtetin.
Duhet një administratë e fortë, një administratë që ka aftësi nga njëra anë dhe integritet nga ana tjetër për të pasur rritjen e vazhdueshme që kemi, qoftë nga të ardhurat në dogana, qoftë nga të ardhurat në tatime. Duhet një administratë absolutisht ndryshe nga ajo që kemi pasur deri disa vite më parë, që klima e biznesit të jetë pozitive, që kompanitë të performojnë pa u ndjerë nën presionin e vazhdueshëm të kërkesës për ryshfet apo të korrupsionit, siç ka ndodhur deri jo shumë vite më parë dhe patjetër që duhet një administratë që është e mirë pozicionuar në raport me qëllimet e shpallura të qeverisë për t’ia dalë që në fund të ditës rritja ekonomike të përkthehet në rritje pagash, në rritje pensionesh dhe në më shumë të drejta. Kur flas për të drejta nuk flas thjesht dhe vetëm për të drejtat që i shkojnë menjëherë në mend gjithsecilit kur përmendet kjo fjalë. Po flas për shembull dhe për të drejtën e një page më të madhe për shkak të vjetërsisë në punë. Nuk e kemi pasur sepse s’kemi pasur mundësinë, jo sepse nuk e kemi njohur një të drejtë të tillë.
Sot mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, forcat e armatosura marrin edhe bonusin apo pagën ekstra të vjetërsisë në punë. Nuk mund të paguhet njësoj dikush që ka një vit që punon me dikë që ka 15 vjet në punë. Këtë e kemi ditur, por nuk kemi mundur ta materializojmë. Pse? Sepse ekonomia nuk na e ka dhënë këtë mundësi. Sepse të ardhurat e mbledhura nuk na e kanë dhënë këtë mundësi. Sepse administrata që kemi pasur nuk na ka ndihmuar sa duhet për t’ia dalë dhe për ta realizuar këtë mundësi. Sot e kemi, sepse ekonomia na përgjigjet edhe sepse administrata na ndihmon. Të thuash që sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se ndonjëherë më parë do të thotë të flasësh përçart. Natyrisht që sot flitet më shumë për korrupsionin, qoftë për shkaqe objektive, qoftë për shkaqe totalisht subjektive, qoftë për shkak se si asnjëherë më parë i është hapur korrupsionit luftë dhe lufta i është hapur në radhë të parë politikisht nga një forcë qeverisëse që ka udhëhequr një reformë që ka çliruar duart e drejtësisë, ashtu si kundër nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të ketë rritje pensionesh me një projeksion i cili është i përfshirë në parashikimet buxhetore të katër viteve, ku çdo janar rritja do të dyfishohet. Që do të thotë, në janarin 2028 do të trefishohet, në janarin 2029 do katërfishohet dhe në janarin 2030 do pesëfishohet.
Si bashkohen këto bashkë? Nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të ketë shumë më shumë përfitues nga garat publike. Këto janë fakte. Nuk mund të ketë korrupsion në rritje dhe të hapen 2000 e disa qindra biznese të reja në 2 muajt e fundit. Të gjitha këto nuk dua të thonë që nuk ka korrupsion, por duan të thonë që është një proces transformues që pasqyrën e ka jo tek të dhënat apo tek pasqyrimi që i bën njëra palë apo pala tjetër, por e ka tek pasqyrimi objektiv i këtij transformimi nga Komisioni Europian. Dalin shumë raporte nëpër botë, po ka vetëm një raport i cili nuk bazohet në perceptime, nuk bazohet në anketime që shpeshherë janë me plot boshllëqe, por bazohet në një ndjekje rigoroze 7 ditë të javës, 24 orë të ecurisë së punëve të një vendi në çdo sektor dhe ky është raporti i Komisionit Europian.
I solla të gjitha këto këtu, për t’u rikthyer edhe njëherë tek administrata. Ne e kemi shumë seriozisht sepse jemi shumë të bindur për një fakt shumë të thjeshtë; që nuk ka progres të sigurtë dhe nuk ka transformim të pakthyeshëm aty ku administrata nuk është e sigurtë dhe ku pozicioni i çdokujt brenda saj, është lehtësisht i kthyeshëm mbrapsht dhe kemi bërë shumë rrugë për të ardhur deri këtu. Kur ne kemi marrë detyrën i kemi gjetur të gjithë punonjësit e shtetit në kthetrat e politikës. Ishin në ‘’kthetrat’’ e politikës të gjithë punonjësit e Policisë, shefat e komisariateve, shefat e qarkullimit; drejtorët e qarqeve i vendoste partia, i vendosnin deputetët me telefona, deputetët me influencë.
Mësuesit ishin në ‘’kthetrat ‘’e politikës. Mund të gdhiheshin një ditë të transferuar gjetkë sepse nuk ishin mjaftueshëm të besueshëm për partinë apo nuk ishin mjaftueshëm të njohur me rrugën që përmes ryshfetit mund t’i mbante në atë pozicion; infermierët i gjetëm në ‘’kthetrat’’ e partisë në pushtet dhe pa vënë në diskutim fare pastaj administratën e ministrive, të institucioneve. Për herë të parë administrata filloi të funksiononte me një ligj të shërbimit civil, i cili kaloi kur ne erdhëm në qeveri dhe sot përgatitemi për të kaluar disa ndryshime në ligjin e shërbimit civil, të cilat janë të konsultuara me Komisionin Europian dhe të cilat, janë rezultat i një analize të bërë dhe i reflektimeve të natyrshme pas një periudhe prej më shumë se një dekade, që administrata publike funksionon me një ligj dhe në ndërkohë të gjithë punonjësit që përmenda, ata që janë në krye të detyrës në vijën e parë për t’i shërbyer popullit shqiptar, janë faktikisht të çliruar nga “kthetrat” e politikës. Nuk është politika që vendos fatin e tyre, por është përpjekja për të identifikuar dhe për të mbështetur ata që e meritojnë.
A është ky një proces i cili është i përfunduar? Absolutisht jo. Nëse do ta krahasojmë këtë proces me proceset dhe standardet e disa vendeve të përparuara të Bashkimit Europian, jemi pa diskutim më mbrapa dhe shumë më mbrapa. Po nëse do ta krahasojmë jo me veten, se me veten deri një dekadë më parë, është i kotë çdo krahasim, se është si dita me natën, por me vendet që kanë një ngjashmëri me ne, jemi pa diskutim në kushtet kur mund të jemi krenarë për këtë që kemi bërë. Ishin në ‘’kthetrat’’ e politikës të gjitha llojet e shërbimeve që sot janë praktikisht në duart e teknologjisë, por edhe ato shërbime kanë nevojë për një administratë të vetëdijshme prapa. Kështu që unë jam vërtetë i inkurajuar me punën që po bëhet.
Është pa diskutim meritë, në radhë të parë e atyre që e udhëheqin këtë proces dhe Adea ka një meritë të veçantë si ministre e Shtetit për Administratën Publike. Patjetër që si asnjëherë më parë është bërë një punë dhe bëhet një punë e përditshme për t’i dhënë një sens të gjithë procesit që lidh qeverisjen me punën dhe me punësimin dhe këtu meriton patjetër një falenderim edhe zëvendësministrja Olta edhe drejtori AKPA, Klevisi se nuk diskutohet që është puna e tyre e përditshme që pastaj i jep mundësi edhe ministrave përkatëse, në këtë rast ministres së re të Ekonomisë që të ketë shumë më tepër çfarë të thotë kur vjen fjala tek puna dhe tek punësimi dhe një skuadër e tërë nga mbrapa dhe këtu prapë vijmë te administrata sepse dhe Adea punon me një grup njerëzish të motivuar të rinj që janë punonjës të administratës; edhe AKPA po ashtu punon me një grup punonjësish të motivuar të administratës; edhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka një grup njerëzish të motivuar që janë punonjës të administratës.
Ata nuk janë zakonisht ose asnjëherë në ekran, por e përditshmja provon që ne kemi sot të gjitha arsyet që të jemi besimplotë, që në këtë proces të negociatave për anëtarësimin dhe në këto vite që mbeten nga anëtarësimi edhe falë këtij procesi dhe falë presionit të madh që ka ky proces mbi një vend që do të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, ne do të kemi një administratë dinjitoze e cila patjetër që do të fillojë të gëzojë gjithmonë e më shumë dhe respektin e qytetarëve shqiptarë, që me të drejtë janë skeptikë dhe jo për faj tyre, shpeshherë kanë një perceptim, siç e pata pasur dhe unë më parë, pasi lumi dhe llumi i rrjeteve të informacionit dhe i kanaleve të infektuara nga politika e ditës, e bëjnë shumë të vështirë që informacioni të vijë i pa deformuar nga gjithë ky presion që ka në rrugën, nga burimi i informacionit tek cilido qoftë që merr informacionin. Shumë faleminderit!
KOHA JONË SONDAZH

