“Rama theu derën e shtëpisë e të vodhi lekët…”/ Si ia shpjegon Zekthi gazetarit se ç’është shpifja
Analisti dhe politiologu Fitim Zekthi ishte i ftuari i gazetarit Sebastian Zonja në Ora News për të diskutuar rreth projektligjit të ri të qeverisë që kriminalizon shpifjen dhe nga i cili nuk shpëtojnë as postimet në rrjetet sociale.
Zekthi e tregoi me shembull konkret se ku ndryshon shpifja nga liria e shprehjes.
Sebastian Zonja: Zoti Zekthi, nëse lexojmë artikujt tuaj ju thoni se kryeministri Rama apo administrata është e korruptuar, sa përbën kjo liri të shprehjes dhe sa është kjo shpifje?
Fitim Zekthi: Kjo nuk është aspak shpifje. Shpifja është një kategori që nënkupton gjëra të tjera, nënkupton gjykime politike kur ti thua se kryeministri apo administrata është e korruptuar, administrata është e paaftë apo administrata po abuzon me pushtetin. Shpifja është diçka shumë specifike dhe nukj mundet kurrë të bjerë në përkufuzime të tilla që ndalojnë kritikën ndaj qeverisë apo kritikën ndaj administratës publike. Kështu që, kjo nuk është një shpifje. Nëse themi se kryeministri është i korruptuar, kjo nuk është një shpifje. Kur themi Rama ka vjedhur nga xhepi i Sebastian Zonjës tre lekë edhe ai nuk i ka vjedhur në fakt, kjo mund të jetë shpifje. Por jo fakti se kryeministri është i korruptuar apo administrata është e korruptuar. Ky është një gjykim që kanë të drejtë ta bëjnë gazetarët, opinionistët, media e të tjerë me rradhë. Duhet të kuptojmë gjithçka, thelbi i sistemit në të cilin jetojmë është llogaridhënia. Dhe llogaridhënia bëhet në katër mënyra në fakt, por mënyra bazë, e parë, e përditshme është llogaridhënia që qeveria jep në media, para gazetarëve dhe opinionit publik dhe këta kanë të drejtën e përditshme ta kritikojnë, kanë të drejtën ta etiketojnë qeverisë si të paaftë, si të papërgjegjshme, si abuzive, apo ti thonë që është e mirë nëse ajo është e mirë. Këto nuk hyjnë në kategorinë e shpifjes, absolutisht.
Sebastian Zonja: Ku ndahet shpifja nga liria e fjalës?
Fitim Zekthi: Shpifja është çdo pohim konkret, si shembulli që sapo mora: kryeministri Edi Rama ka shkuar dje në tre të natës në shtëpinë e Sebit (gazetari në studio), ka thyer derën dhe i ka marrë para në xhep. Nëse kjo vërtetohet me gjykatë, me gjithçka që nuk ka ndodhur, kjo është një shpifje. Ama nëse themi se kryetari i bashkisë së Tiranës ka shkatërruar Tiranën kjo nuk është një shpifje. Nëse themi se kryetari i bashkisë së Tiranës e ka zhdukur, e ka zhbërë, e ka tmerruar këtë qytet duke i shkatërruar trashëgiminë kulturore, kjo nuk është një shpifje.
Sipas Zekthit, kriza e demokracisë në vend po thellohet aq shumë sa nuk do të mund të marrim as ajër pa lejen e kryeministrit.