Rama tregon historinë me personin VIP nga BE-ja që kërkonte makina të blinduara dhe roje të armatosura
Në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit që mbahet në Tiranë, kryeministri Edi Rama nuk nguroi që të tregonte historinë me një zyrtar të BE-së i cili kërkonte të shoqërohej nga roje të armatosura gjatë vizitës në Tiranë. Ky zyrtar sipas Ramës vendosi që të hynte më pas në Tiranë dhe të nesërmen takoi vetë kryeministrin dhe i tha sa ndryshe perceptoi Shqipërinë nga realiteti.
“Disa kohë më parë një person i rëndësishëm nga BE zbriti në Tiranë. Unë isha në makinë dhe marr një mesazh nga drejtuesi i sallës së pritjes për VIP-at në aeroportin e Tiranës dhe më shkruan të lutem merrëm në telefon, është urgjente. Mendova ishte ndonjë bombë apo ndonjë zjarr. Marr në telefon dhe më thotë më vjen keq t’u shqetësoj, kalova gjithë zinxhirin e hierarkisë askush nuk ma zgjidhi problemin dhe më duhet ta zgjidh. Më thotë kemi një person të rëndësishëm që nuk do të hyjë në Tiranë. Çfarë duhet të bëj? Pse i them? Sepse nuk ndihet i sigurt.
Dhe kërkon automjete të blinduara dhe roje të armatosura. E pyeta cili ishte statusi i këtij personi të rëndësishëm. Ishte pjesë e asaj lige që duhej shoqëruar nga Garda jonë kombëtare. Janë këtu më thotë por nuk i merr seriozisht ato pistoleta që kanë, kërkon pushkë. I thoni zotërisë që nuk ofrojmë shërbim kaq special dhe e mbylla telefonin. Pas 45 minutash më shkruan që kanë hyrë në Tiranë.
Të nesërmen ky zotëri vjen në zyrën time. Nuk e di nëse ai e dinte që unë e dija ç’kishte ndodhur. Gjëja e parë që më thotë ju detyrohem ndjesë. Më thotë kam udhëtuar në shumë vende, jam qytetar i botës. Kurrë asnjëherë nuk jam gjendur në një hendek kaq të madh midis asaj që mendoja se ishte Shqipëria dhe asaj që është. I thashë u ndodh të gjithëve atyre që vijnë në Shqipëri”, tha Rama.