Rama u bën thirrje lokaleve të mos hapin dyert për takime masive nga politikanët: Në djall vafshin të gjitha!
Ndërsa situata me pandeminë vijon të jetë e rënduar dhe spitalet janë plot me të shtruar, politikanët nga të dyja palët vijojnë të mbajnë takime në shkelje të protokolleve shëndetësore, edhe pse për kryeministrin Edi Rama peshorja e shkelësve anon nga opozita.
Nga Rinasi, Rama apeloi pronarët e lokaleve të mos hapin dyert për takime të tilla, pasi janë ata që e pësojnë në fund.
Shefi i qeverisë nuk nguroi edhe njëherë të shigjetojë presidentin, që sipas tij është i pari që jep shembullin katastrofal duke kujtuar aktivitetin në Durrës.
Rama: Unë mendoj që ata të cilët u hapin dyert e lokaleve këtyre politikanëve nuk duhet tu hapin dyert sepse janë ata që paguajnë, janë ata që dëmtohen, janë ata që rrezik, janë ata që mund tu mbyllet biznesi fare. Janë ata të parët që duhet të refuzojnë këtë gjë. Nga ana tjetër kur mendon që Presidenti, babai i të gjithë kësaj familje, rojtari i të gjitha palëve, garanti i shëndetit kushtetues të këtij vendi, është i pari që jep shembullin katastrofik kjo është fatkeqësi. Unë nga ana ime, ajo që bëj është tu kujtoj çdo ditë të gjithë kolegëve të mi që nuk na duhen ato që humbasin nga kontakti me më shumë se 10 vetë përballë shëndetit të njerëzve dhe kësaj sfide të madhe. Në djall vafshin të gjitha, kjo është A-ja dhe Zh-ja. Personalisht nuk bëj në asnjë moment kapërcime të kësaj vije.