Rama u foli serbisht. Basha thirrje shqiptarëve në Mal të Zi: Votoni listat shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë sot thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që të votojnë listat e kandidatëve shqiptarë.

“Ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet  parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare.  Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj”,- deklaron Basha në Facebook.

Basha shprehet se shqiptarët në Mal të Zi kanë rol kyç në integrimin e vendit fqinj në strukturat euro-atlantike dhe vota për partitë shqiptare është votë për integrimin e Malit të Zi në BE. “Ne krenohemi me faktin që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe në përmbushjen e aspiratës së anëtarësimit në NATO. Jam i bindur që faktori politik shqiptar do të vazhdojë që në mënyrë konstruktive të japë kontribut të çmuar në përshpejtimin e integrimit europian të Malit të Zi. Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit”,- deklaron Lulzim Basha.

Reagimi i Lulzim Bashës vjen pas një mesazhi kontradiktor që kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në mediat e Malit të Zi për zgjedhjet e 30 gushtit. Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të Malit të Zi edhe në gjuhën serbe që të votojnë partinë e Milo Gjukanoviç. Kjo deklaratë ka sjellë reagime të forta në Tiranë, për faktin se në këto zgjedhje kandidojnë dhe dy koalicione shqiptare dhe pritet një mbështetje më e madhe e qeverisë shqiptare ndaj tyre.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP