“Rama urdhëroi mbylljen e hetimeve”, Shehaj për skandalin e Astirit: Prokuroria rrëzoi në mënyrë kriminale tre akuza
Ish-deputeti i PD Agron Shehaj ka komentuar mbylljen e hetimeve të Prokurorisë për skandalin me DH Albania tek Unaza e Re. Shehaj thotë se Prokuroria e urdhëruar nga Ra,ma ka rrëzuar në mënyrë kriminale tre akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion duke mos akuzuar asnjë zyrtar.
Ai shton se sipas Prokurorisë 26- vjeçari që e akuzon për falsifikim dokumentash paska mashtruar tre institucione për dy tendera, dhe kjo sipas tij është qesharake.
DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, AGRON SHEHAJ
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për aferën DH Albania, të vjedhjes dhe pastrimit të 28 milionë eurove, me anë të një kompanie fantazmë. Në mënyrë kriminale, Prokuroria ka rrëzuar akuzat për korrupsion, për shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Ajo ka dërguar në Gjykatë vetëm akuzën qesharake për fallsifikim dokumentash, akuzë e cila dënohet vetëm me gjobë ose disa muaj burg. Asnjë zyrtar shtetëror nuk është akuzuar. Asnjë. Zero.
Prokuroria ka nxjerrë përfundimin se gjithçka ka qenë vepër e një 26 vjeçari, që ka vepruar i vetëm, pa asnjë bashkëpunëtor. Prokuroria pretendon se 26 vjeçari ka mashtruar; Ministrinë e Transportit dhe Energjetikës, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, dhe OST-ne, duke fituar dy tendera prej 28 milionë euro. Sipas prokurorisë, ky 26 vjeçar ka negociuar për javë të tëra dy kontrata të sofistikuara teknike, me dhjetëra specialistë, drejtues dhe funksionarë të shtetit, dhe ata nuk kanë kuptuar asgjë. Ky është nje nga përfundimet më qesharake dhe më skandaloze, në historinë e Prokurorisë Shqiptare. Mbyllja e aferës DH Albania, pa ndëshkimin e asnjë zyrtari, tregon qartazi që Edi Rama ka urdhëruar prokurorinë për mbylljen e dosjes. Edi Rama dhe Damian Gjiknuri dhe jo 26 vjeçari, janë krerët drejtuesit, dhe përfituesit e kësaj afere korruptive.
DH Albania ishte mekanizmi i Ramës dhe Gjiknurit për të vjedhur dhe për t’i pastruar ne SHBA dhjetëra milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Varrosja e çështjes nga prokuroria dëshmon se Edi Rama e ka kapur drejtësinë, e cila sot është garancia kryesore e korrupsionit dhe krimit shtetëror. Afera DH Albania tregon që këtu sundon korrupsioni dhe pandëshkueshmëria, që këtu nuk ka vend për njerëzit punëtorë dhe të ndershëm. Në Shqipëri nuk ka investime të huaja, sepse këtu çdo gjë është kapur nga një grusht biznesmenësh grabitqarë, që për të ruajtur pozitën e tyre, ndalojnë hyrjen në treg te çdo kujt tjetër. Kjo aleancë politikanë-oligarkë mban peng zhvillimin e Shqipërisë, duke varrosur çdo mundësi që shqiptarët të krijojnë, ndërtojnë dhe gëzojnë frutet e punës dhe të talentit të tyre.
Kjo aleancë politikanë-oligarkë e ka kriminalizuar ekonominë duke mos lënë asnjë mundësi për biznesin e ndershëm. Kjo aleance politikanë-oligarki ka varrosur çdo hapësirë lirie në ekonomi dhe politikë. Pa ndëshkuar korrupsionin në Shqipëri nuk do ketë investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune. Lufta kundër korrupsionit dhe kësaj aleance kriminale është prioriteti politik më i madh i Partisë Demokratike. Kjo luftë duhet të fillojë me dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar.