Rama uron Rexhep Meidanin në 76-vjetorin e lindjes: Ishte President normal, në kohë anormale!
Kryeministri Edi Rama i uron 76-vjetorin e lindjes ish-Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani. Përmes një mesazhi në “Facebook”, Rama shpreh vlerësimet më të larta për Meidanin, teksa thotë se Meidani “ishte një njeri normal dhe një President normal, që meriton të vlerësohet si i tillë, jo thjesht për kohën tejet anormale, kur ai pati privilegjin të luante rolin e kreut të shtetit, po edhe nga këndvështrimi i kohës së sotme, kur fatkeqësisht, Shqipërisë i mungon kaq shumë normaliteti në atë rol sa simbolik për unitetin tonë kombëtar, aq edhe thelbësor për ekuilibrin politik të vendit tonë”.
Mesazhi i Ramës:
#EDHE100? REXHEP MEIDANI, shërbeu si Presidenti i tretë i Republikës pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe sot, duke i uruar 76 vjetorin e lindjes, kujtoj me respekt standardin e lartë të dinjitetit institucional që ai i dha rolit të kreut të shtetit shqiptar, pas degradimit rrëqethës që pësoi presidenca deri në katrahurën e vitit 1997. Profesor Meidani ishte një ndër intelektualët që iu vunë në shërbim vendit në momentet tejet sfiduese pas përmbysjes së madhe të sistemit.
Ndryshe nga disa syresh, si paraardhësi i tij, që kaluan nga ekstremi i servilosjes ndaj padronëve komunistë, në ekstremin e kanosjes kundër komunistëve si njerëz, ai zgjodhi rrugën e atyre që e transformuan ish-Partinë e Punës në një forcë politike eurosocialiste; alternativë serioze qeverisëse e një Shqipërie që u kthye në tokë të djegur nga flama e një antikomunizmi tragjikomik. Rexhep Meidani ishte një njeri normal dhe një President normal, që meriton të vlerësohet si i tillë, jo thjesht për kohën tejet anormale, kur ai pati privilegjin të luante rolin e kreut të shtetit, po edhe nga këndvështrimi i kohës së sotme, kur fatkeqësisht, Shqipërisë i mungon kaq shumë normaliteti në atë rol sa simbolik për unitetin tonë kombëtar, aq edhe thelbësor për ekuilibrin politik të vendit tonë.
Me Profesorin jemi njohur herët, kemi këmbyer mendime në kohë të ndryshme dhe jemi këmbyer në rrugën e jetës sonë politike edhe si konkurentë për lidershipin e Partisë Socialiste. Jo gjithnjë kemi qenë dakord, madje ai ka qenë një zë kritik ndaj meje në momente e për çështje të caktuara. Por gjithnjë ama, kritika e tij ka ruajtur seriozitetin, etikën, thellësinë e shqetësimit për çështjen në fjalë, çka përbën në fakt edhe shenjën e bukur dalluese të mosdakordësisë publike të atyre që demokracinë dhe lirinë e shprehjes, nuk e ngatërrojnë me rrumpallën e me lirinë e sharjes. Për fat të keq, sot lloji i edukuar i kritikëve si Profesor Meidani është një specie në zhdukje dhe kjo e bën edhe më të vyer për vendin e për publikun, praninë mes nesh të njerëzve si ai.
Duke e uruar Profesorin në këtë ditë të shënuar të jetës së tij, uroj megjithë zemër që normaliteti i virtytshëm institucional e intelektual që ai ka mishëruar, si President i Republikës e si penë e angazhuar në debatin mediatik, të bëhet norma e jo të mbetet ujë i pakët në jetën tonë institucionale e publike.
#TëRRALLË