Rama vizitoi Thaçin në Hagë, kreu i PDK: Vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme
Kryeministri shqiptar Edi Rama, sot vizitoi ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Hagë, dhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi nuk i ka kursyer falënderimet për Ramën. Ai thotë se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme. ”U kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme, siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij”.
Postimi i plotë
Falemnderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme, siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij.
Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar, luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë.
Duke i kujtuar fjalët e Presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën.