Rama, Vuçiç dhe Zaev mblidhen për Shengenin ballkanik më 29 Qershor
Një tjetër takim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet këtë muaj, por online. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka bërë me dije se në kuadër të Shengenit ballkanik do të mbajë një konferencë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë, e cila do të zhvillohet onlime më 29 qershor. Shengeni rajonal është një nismë e përbashkët e Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
“Ajo që ka një rëndësi të madhe për ne, është sistemi i lejeve të punës: ai që merr lejen e punës në territorin e njërit prej tre vendeve, të ketë leje pune në të tre vendet. Me këtë do të sigurojmë më shumë fuqi punëtore, që mungon në Serbi”, tha Vuçiç.
Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në Rajon, Vuçiç tha se bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të rritet vazhdimisht.