Rama zhduk PS dhe “senatorët”. Partia 80 vjeçare pushtohet nga otomanët- turq të Rilindjes
-Pas dorëzimit në KQZ të listës për deputetë analistët shikojnë se përveç Ditmir Bushatit, të cilin kryeministri e largoi dhunshëm, rrezikohen plotësisht të mos zgjidhen Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Blendi Klosi, Niko Peleshi, Damian Gjiknuri e disa socialistë të tjerë. Në vend të tyre janë futur njerëz pa identitet të majtë.
Edi Rama dorëzoi në mesnatën e së hënës në KQZ listën më të keqe që mund të përfaqësohej Partia Socialiste. Edhe për socialistët më të vjetër, emrat e propozuar, renditja në lista, vendosja e njerëzve me kontribute historike në PS në zona humbëse ngjanin sikur lista e Ramës ishte hartuar në zyrat e opozitës dhe jo të kryetarit të partisë. Heqja e emrit të Ditmir Bushatit nga gara, vendosja e Fatmir Xhafajt në vend të 23-të në Tiranë, të Pandeli Majkos në vend të 19 dhe të Mimi Kodhelit në vend të 21 duket sikur janë lëvizje që nuk synojnë fitoren e zgjedhjeve, por përjashtimin e atyre që njihen si senatorë të PS-së. Bushati, Xhafaj, Majko dhe Kodheli nuk janë të vetmit që janë ndjerë të prerë në besë nga kreu i PS-së. Në listat e PS mungon një nga profesorët dhe ekspertët më të mirë financiarë ish-ministri i Financave Anastas Angjeli. Në pozicione dukshëm humbëse janë ministrat Blendi Klosi dhe Niko Peleshi. Në Berat, ku Edi Rama investoi energji dhe fonde për të përçarë LSI rezultoi se shkatërroi me sukses degën e PS. Vendosja e Klosit në vend të pestë, pas Nasip Naços, në një qark ku PS nuk ka marrë kurrë më shumë se 4 mandate praktikisht është përjashtim i ministrit të Turizmit. Ndërkohë gjoja me takt u përjashtuan Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Eglantina Gjermeni, Sadi Vorpsi, Alfred Peza, Musa Ulqini dhe shumë emra të tjerë të grupit aktual parlamentar. Edhe ata që nuk kanë ikur dhe janë në pozicione humbëse, praktikisht janë të ikur dhe në fushatë do të jenë vetëm sa për numra në KQZ. Alket Hyseni, një prurje e re e PS që erdhi në parti nga Edi Rama, nuk pranoi dje që kryetari të tallej me kandidimin e tij në vend të 11 në Vlorë, kur në këtë qark merren vetëm 7 mandate. Të tjerë që janë në këto pozicione turpëruese në PS janë duke menduar largimin dhe gjatë ditëve në vijim braktisja e PS nuk do të mungojë.
Deputetët dhe ministrat kanë 4 vite që punojnë në zona me 4-5 mijë votues, për të dalë deputet iu duhen 10 mijë vota dhe është e pamundur në kaq pak kohë të gjejnë votat që u kërkon Edi Rama. Në historinë e PS edhe në kohën e përplasjes më të madhe brenda saj që solli dhe krijimin e LSI, nuk ka pasur kurrë kaq shumë largime dhe përjashtime. Brenda një nate, Edi Rama ka shkatërruar gjithë trashëgiminë e PS dhe gjithë emrat që përbënin palcën e kësaj partie. Sigurisht në lista ka emra vajzash dhe grash të reja, por sado profesoniste të jenë në karrierën private, socialistëve nuk u thonë asgjë. 50 ditë para zgjedhjeve socialistëve nuk u del koha t’u mësojnë emrat dhe jo më të votojnë apo të kenë simpati politike për to. Pyetja që shqetësonte dje socialistët se si ka mundësi që Edi Rama, strategu i lëvizjeve politike bëri ndryshime në parti, njëlloj sikur listat t’ja kishte bërë Lulzim Basha në qershor 2017. E vërteta është se lista e Edi Ramës është fiks lista e ëndrrave të tij për të zhdukur PS dhe për të vënë nën kontroll të plotë selinë rozë. Emra që u përjashtuan nga PS janë të njëjtët që pas 25 prillit, kur PS të humbasë, do të ishin ata që do t’i kërkonin Edi Ramës llogari për humbjen turpëruese. Ramës do t’i duhej të përgjigjej për gjithë prapësitë që ka bërë në PS dhe qeveri, sepse ai ka vendosur për çdo gjë në tetë vite. Me përjashtimin e tyre, Edi Rama ka larguar ata që do t’i kërkonin nesër llogari, ata që mund t’i rrezikonin postin dhe mbi të gjitha, ata që do të kërkon ndryshimin e modelit drejtues në PS. Ndaj me listën që dërgoi në KQZ, Edi Rama nuk ka menduar për 25 prillin, por për atë që do të ndodhë pas 25 prillit. Askush nga ata që ka vendosur në pozicione fituese nuk përben rrezik për Rama dhe pushtetin e tij në parti. Përkundrazi, ata ose janë anonim që u duhen vite të mësojnë korridoret e partisë ose janë përfaqësues të grupeve të interesit dhe aferave korruptive me të cilët Edi Rama ka qeverisur këto 8 vite.
PS pas kësaj nuk ka më!