Rama:Nënë Tereza një zemër e madhe sa të gjitha kombet bashkë

 

Nga Edi Rama.

Sot me vullnetarë dhe aktivistë në Qendrën Rinore të Tiranës, në kremtim të 12-vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II. Më poshtë dhe fjala e plotë, mbajtur për këtë ditë të shenjtë të paqes dhe vullnetarizmit:
Kjo është një ditë fort e shënuar, por ndryshe nga të gjitha ditët e shënuara, kjo është një ditë që imponon shumë modesti dhe aspak fanfara përkujtimore.

Për shumë kohë Nënë Tereza është përkujtuar dhe është kremtuar në vendin tonë, më së shumti e mbështjellë virtualisht me ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar. Me të vërtetë 40 vjet pasi ju mohua gjaku, emri dhe rrënjët e saj, përfshi këtu, mjerisht edhe nga vendi prej ku u çel jeta e Gonxhe Bojaxhiut, Shqipëria dhe shqiptarët ndjenë një nevojë therëse për t’ju përgjigjur krahëhapur por edhe të penduar, rënkimit të përsëritur të Nënë Terezës, “Nga gjaku, unë jam shqiptare”.

Përmasa kombëtare e këtij personi unik, të rreshkur në përvuajtëri nga dashuria dhe vetëmohimi absolut për të tjerët, është për ne si shqiptarë, pa asnjë dallim, i domosdoshëm. Sepse ai mëton që në gjakun tonë lëvrin, ndoshta disi e egër dhe e pakultivuar sa do të duhej, ndjenja e vetëmohimit për vëllain dhe motrën në humanitet, pa dallim kombësie, etnie apo shtrese sociale; ashtu siç na e sjell në një formë të caktuar vëllazëria fetare këtu në Shqipëri dhe nga ana tjetër dëshira për të përqafuar universalen, një dimension që është i pazëvendësueshëm në brendinë e dinjitetit dhe të identitetit tonë kombëtar.

Në filmin e tij të famshëm “La Grande Bellezza”, Paolo Sorrentino i vendos personazhit të Shenjtores një përgjigje shumë hermetike për pyetjen se përse ushqehej vetëm me rrënjë, "Sepse rrënjët janë të rëndësishme". Nëse rrënjët shqiptare të Nënë Terezës janë një e vërtetë për tu mirëmbajtur me përkushtim, në fakt ato janë vetëm një pjesë e një të vërtete më të madhe dhe ai rënkim që vjen në testamentin e saj njerëzor për rrënjët, meriton që të meditohet deri në fund. "Prej gjakut jam shqiptare, prej kombësie jam indiane, prej besimit jam rregulltare katolike, prej thirrjes i përkas mbarë botës dhe prej zemrës jam një me zemrën e Krishtit".

Këtu e kuqja dhe e zeza që na takon në këtë mozaik, gërshetohen me të gjelbrën e shpresës, me të kaltrën e mbretërisë së qiejve dhe me të bardhën e një zemre që i është dhënë të tjerëve. Kjo është pëlhura modeste, saree indian i mirësisë, rrënja e përhershme që ishte i vetmi ushqim, veshmbathje, shtëpi, familje dhe dashuri për Nënë Terezën. Këto ngjyra, ky saree dhe kjo përvuajtëri, janë kthyer me të drejtë në flamur të përbotshëm paqeje si fryt i përkushtimit për të tjerët, i dhembshurisë për të vobektit, i vetëmohimit absolut për dinjitetin e njeriut, që prej nisjes së një jete dhe deri në kalimin e saj në amshim.

Paqja e ka një çmim dhe shumë shpesh e ka një çmim të frikshëm. Për të qenë ithtar i paqes jo rrallë duhet të bëhesh dëshmor i saj, qoftë duke falur vetë jetën, qoftë përmes një të jetuari si dëshmitar që të takon të pranosh përçmim nga të tjerët, të takon të jetosh me një dyshim gërryes që nuk rresht brenda vetes, të takon të mbash goditje morale të pamerituara, të takon madje të përballesh me kërcënimin e integritetit tënd fizik dhe më tutje akoma, të njohësh urinë, të njohësh frikën, të njohësh skamjen dhe të bashkëndash deri dhe kafshatën e fundit me dikë që mund të qëllojë të jetë krejt i panjohur për ty.

Një ditë, – tregonte vetë Nënë Tereza, – sollën në qendrën tonë në Kalkuta një grua që tërë jetën kishte jetuar në rrugë, trupi i së cilës ishte mbushur me plagë të gangrenizuara. Ndërkohë që ajo mallkonte botën mbarë, Nënë Tereza për orë të tëra i pastronte plagët dhe papastërtitë e frikshme. Si u lodh së mallkuari misionaret, ajo ju kthye eprores: “Murgeshë pse e bën këtë?!” “Për hir të tënd Zot”. “E kush na qenka ky zot?” Duke e përqafuar, Nënë Tereza i përgjigjet: “Tani ti e njeh. Ai është Dashuria.”

Për ju të gjithë këtu të pranishëm si vullnetarë, mund të ngjajë shumë i madh hendeku mes gjërave, në dukje shumë të vogla dhe pa nevojën e gjithë këtij vetëmohimi që ju bëni përmes vullnetarizmit tuaj dhe morisë së gjërave qe mundësoi vetëmohimi i Nënë Terezës.

Mirëpo në fakt, janë të dyja pjesë e të njëjtës gjë. E nëse i besojmë Nënë Terezës, mjaft të kujtojmë një fjalë të sajën: “Mos prisni një lider t’ju thotë se çfarë duhet të bëni, por bëni atë që mundeni person më person.” Ndoshta askush prej jush nuk do të përjetojë përvojën mistike dhe rrugëtimin unikal të Nënë Terezës dhe të motrave të saj. Megjithatë çdonjëri prej jush, çdonjëri prej nesh, kur është fjala për të qenë vullnetar për një kauzë të madhe apo për një shërbim të vogël, kupton se në thelb çdo përkushtim që i shërben qoftë dhe një njeriu të vetëm, bën një shërbim sa për vetë njerëzimin.

Pavarësisht madhësisë së një shërbimi, të gjithë shërbyesit në vullnetarizëm janë të thirrur të mbartin përkushtimin dhe vetëmohimin që rrezaton në madhështi figura dhe rruga e Nënë Terezës. Jemi të thirrur të dëgjojmë brenda vetes atë "thirrjen brenda thirrjes", siç e quante Nënë Tereza misionin e përveçëm të gjithsecilit për t’ju dhënë me vetveten tjetrit.

Tjetri mund të qëllojë të jetë një familjar, po mund të qëllojë të jetë dhe një njeri krejt i panjohur, që në rrethana të caktuara të bën të jesh shpëtimtari i tij, përcaktues a lehtësues i fatit të tij, përmes përkushtimit tënd për të, në një moment nevoje.

Shumica këtu janë të rinj dhe mua më takon t'i përgëzoj dhe t'i inkurajoj sepse në vullnetarizëm, posaçërisht në një moshë fillestare për rrugën e jetës pas njohjes së botës përmes librave, cilido qoftë kontributi pa asnjë dyshim, më i madh është përfitimi; përfitimi i brendshëm prej asaj që sot jep dhe që, nesër, në një ditë ose në një tjetër, përballë një vështirësie ose një tjetre, kthehet në një fuqi më shumë në përballimin e vështirësive.

Nënë Tereza thoshte që një zemër e ndarë është varrmihëse e paqes. Në këtë aspekt besoj që qëndron dhe vlera thelbësore e vullnetarizmit, sepse duke krijuar kushtet për të bashkuar zemrën tënde me zemrën e dikujt apo disa të tjerëve, në fakt krijon mundësinë për të mbajtur të bashkuar zemrën tënde; në një ekuilibër të shëndetshëm mes gjërave që vlejnë dhe gjërave që trupi dhe mendja i kërkojnë, duke ua rritur artificialisht vlerën e duke i bërë shpesh kryesore, ndërkohë që mund të jenë dytësore, tretësore apo krejt pa rëndësi, krahasuar me gjëra që shpesh sedra, egoizmi, ambicia i bëjnë padrejtësisht të harrohen ose të fashiten në rendin e prioriteteve të njeriut.

Ka pasur edhe Nënë Tereza kritikët e saj, madje edhe mohuesit e saj të pamëshirshëm, si për të provuar se nuk ka asnjë mundësi që dikush që vullnetarizon ti shpëtojë sprovës së të qenit nën goditjen e cinizmit. Ndër kritikat që i janë bërë ka qenë ajo që Nënë Tereza ishte një personalitet i dyzuar, për shkak të ndërthurjes së vetëmohimit autentik me organizmin autentikisht menaxherial. Po në fakt kjo do të thotë të bësh moralistin kallp siç e bëjnë shumë njerëz, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha sferat, pa e njohur as thjesht kulturalisht Ungjillin, i cili në versionin e Shën Lukës përmban një tog rreshtash, që me siguri e kanë ndihmuar edhe vizionin e Nënë Terezës:

“Mjeshtri lavdëroi kujdestarin dinak, sepse në fakt, ky i fundit kishte vepruar me shumë zgjuarsi. Fëmijët e këtij shekulli janë më të aftë se fëmijët e pafajësisë. Dhe ja ku po jua them, bëni plot miq me paranë e pandershme. Kështu një ditë, kur të mos mbetet më asgjë, të mirëpriteni në banesën e përjetshme. Kush është i denjë për besim në gjërat më të vogla, është po ashtu për më të mëdhatë. Nëse nuk jeni të denjë për besim për paranë e papastër, si mund të jeni për gjërat me vlerë të vërtetë.”

"Business for Charity", e ka përkufizuar vijimësinë tokësore të një vullnetarizmi syçelët, britaniku Fra Matthew Festing, mjeshtër i madh i Urdhrit të Maltës; një institucion i posaçëm, i cili prej njëmijë vjetësh është ekspert në vullnetarizëm dhe përkushtim ndaj njerëzve më në nevojë. Dhe varet nga ju, varet nga secili prej nesh, nëse ky "biznes", në sensin më fisnik, por dhe më praktik të fjalës, do të jetë një angazhim shërbimi, apo do të jetë një përçapje vetëm në dukje e moralshme, por në thelb thjesht fitimprurëse. Prej mënyrës sesi ju, sesi ne e konceptojmë misionin tonë, për aq kohë sa ndjehemi të thirrur, do të varet nëse përkushtimi dhe vetëmohimi për të tjerët është kripa e të bashkëjetuarit, apo është thjesht një pamje e sheqerosur e një ideali, që shërben thjesht për të fshehur atë çka është qëllimi sado njerëzor, i fitimit.

Në frymën e një asociimi të vazhdueshëm mes thirrjes shpirtërore për mision dhe një thirrjeje në pamje të parë të thjeshtë, nisur nga motive të ndërgjegjes, Nënë Tereza u bë pioniere e një ndërlidhjeje mes çka sillte angazhimi religjioz dhe çka sjell një angazhim personal, qoftë edhe krejtësisht jo fetar. Këtu besoj qëndron edhe një pikë lidhjeje tek figura e Nënë Terezës, mes angazhimit të misionareve të Nënë Terezës dhe atij aspak fetar, të misionarëve të Korpusit të Paqes fjala vjen. Nuk është feja apo angazhimi fetar që i shtyn vullnetarët e Korpusit të Paqes në të njëjtën rrugë dhe që i bëjnë të ndjehen bashkëudhëtarë me Motrat e Nënë Terezës, apo me të tjerë që vijnë në misionin e vullnetarizmit nga feja ose jo.

Themelimi i misionit laik të vullnetarizmit është në fakt, një rrugë paralele në të njëjtin drejtim me misionin fetar të vullnetarizmit dhe të dyja bashkë i lidh dashuria e përfitimi shpirtëror poashtu, frymëzim në gjithë dinamikën e vullnetarizmit. Sepse është një dashuri që përmes të tjerëve krijon kushtet që njeriu të përmirësojë vetveten dhe tek e mbramja, në fund të rrugës të ndjehet shumë më i pasur, shumë më i përgatitur përballë të gjitha tundimeve dhe shumë më i vërtetë përpara të gjitha sfidave, të cilat në çdo çast e thërrasin njeriun drejt rrugësh të tjera.

Unë besoj që ka shumë gjëra për të cilat ia vlen të bashkojmë forcat dhe të punojmë sëbashku, pavarësisht nëse vijmë nga rrugë të ndryshme; dikush vjen nga rruga e angazhimit fetar, dikush nga rruga e angazhimit social dhe dikush tjetër nga rruga e angazhimit politik. Ajo që e bën të mundur bashkëpunimin ndërmjet njerëzve që vijnë nga rrugë të ndryshme është emëruesi i përbashkët. Një emërues i përbashkët, të cilin Nënë Tereza ia vuri përpara si mundësi, njerëzve të kombeve të ndryshme, të feve të ndryshme, të rrugëve të ndryshme dhe të statuseve krejt të ndryshme sociale. Mjafton t’i hedhim një sy paraqitjes shumë të përmbledhur të këtyre imazheve në ekrane, për ta parë emëruesin e përbashkët në mënyrën sesi, në një fotografi, Nënë Tereza i përulet një fëmije të sëmurë dhe në një fotografi tjetër, Princesha Diana i përulet Nënë Terezës.

Për këtë emërues të përbashkët vlen si shembull, edhe ajo çka 30 vjet më parë, ekzaktësisht në vitin 1985, Sekretari i Përgjithshëm atëhere i Kombeve të Bashkuara, Peres De Cuellar, i rezervoi në fjalën e tij mikpritëse, Nënë Terezës:

“Ja gruaja më e fuqishme e kësaj toke! Ja gruaja që kudo mikpritet me respekt dhe me adhurim! Ajo është një njeri dhe në të njëjtën kohë, Kombet e Bashkuara. Sepse në zemrën e saj i ka dhënë strehë të varfërve të çdo cepi të globit. Atë që e bëjnë apo përpiqen ta bëjnë çdo ditë, Kombet e Bashkuara, mund ta bëjë edhe një zemër e vetme, duke u përpjekur çdo ditë si të ishte Kombet e Bashkuara.”

SHKARKO APP