Ramën se parashikon më as vetë Rama!
Nga Denis Dyrnjaja
Zgjedhjet dhe rezultati i Rrogozhinës, ku socialistët fituan me diferencë të qartë votash në përsëritjen e zgjedhjeve lokale, ishin një tjetër provë se makina elektorale e socialistëve funksion në mënyrë perfekte dhe dërmuese për opozitën që braktisi në fushatë kandidatin e saj. As Berisha e as Meta nuk u dukën atyre zonave qark Rrogozhinës, duke paramenduar disfatën, por edhe duke dashur të mos sjellim ne vëmendje humbjen turpëruese që pësuam më 14 maj.
Ata përbetoheshin se Tirana, Durrësi, Elbasani me Shkodrën e padiskutueshme ishin të opozitës atëherë. Por shqiptarët vendosën ndryshe. Ata i besuan sërish Edi Ramës edhe pse gjetja e tij me nje këngë tallava u tall e u bë meme. Videos së këngës “Vetëm Përpara” i veshi Shqipërisë përveç melodisë edhe bluzën mavi, nga jugu në veri. Shumë u fol për manipulim zgjedhjesh, por Rrogozhina ishte një tjetër provë se popullaritetin Edi Ramës, nuk e dëmton asgjë, madje as skandalet dhe as sulmet që adresohen ndaj atij dhe qeverisjes së tij. Sa më shumë përpiqen të lexojnë dobësitë dhe problemet e Edi Ramës kundërshtarët poktikë dhe poli/analisto/opinionistët mediatikë, aq më shumë bllof po dalin në prognozat se për parashikime apo projeksione të së ardhmes kërkush nuk po i qaset të paktën afërsisht asaj që ndodh e jo më asaj që pritet të ndodhë. I kanë provuar të gjitha mënyrat dhe sa më shumë eksperimentojnë, aq më shumë pushtetin e Ramës po e kalçifikojnë.
Ka shumë nga ata që kujtojnë se sulmet e vazhdueshme dhe densiteti i tyre, Ramën e lodhin dhe e stresojnë. Ne fakt përkundrazi, po i japin mundësi dhe hapësirë që ai të bëjë atë që di të bëjë me mirë në habitatin e tij politik, “të luajë” me ata që kujtojnë se e kapin mat. Dhe këtë lojë Rama zgjedh ta ekspozojë dukshëm në publik dhe kështu të mbajë lart kuotat e tij në politikë. Vini re! Prej fotove nudo kur ishte kryebashkiak 20 vite shkuar e kur të gjithë menduan se e rrënuan politikisht dhe publikisht, popullariteti i tij vetëm ka parë rritje e sukses.
Atij i kthehet në pikë si buzëqeshja edhe përqeshja, si përulja edhe përbuzja, si sukseset edhe gabimet, fitoret dhe dështimet. Kjo është formula e funksionimit dhe suksesit të një politikani kontrovers. Por duhet thënë se kjo nuk është vetëm meritë e tij. Një kontribut të madh, madje të shtrirë edhe në kohë, ka sigurisht sjellja dhe pozicioni i opozitës dhe njerëzve brenda saj. Mënyra sesi ka zgjedhur opozita të bëjë alternativën e Edi Ramës në pushtet, është shumë e varfër, arkaike, refraktare, me gjuhë të vjetër e të lodhur politike.
Një herë flitet për revolucion, pastaj revolucioni ndalon ende pa filluar. Flitet për protesta, dukshëm ato janë një opsion i dështuar. Ndërkohë me kalimin e viteve, vetë opozita po degradon nga humbja e shpresës dhe gjetja e mënyrës sesi vihet në pushtet. Opozita sot përfaqësohet nga njerëz pa identitet dhe peshë publike, për më tepër me personazhe të pabesueshëm e me kapacitet të cekët politik e intelektual. Përfaqësohet nga njerëz që janë aty vetëm për interesat e veta. Në opozitë gjen specie të çuditshme që nuk janë as burra as gra, jo në kuptimin gjinor, por ideor e profesional. Pra njerëz pa identitet. Në opozitë ka një amorfitet të shoqëruar me një rezonim të fortë antipatik në publik. Mungojnë zërat e besueshëm dhe politikanët/et që kanë karizëm. Dhe ç’është më e keqja një pjesë e tyre këtë se kuptojnë ndërsa pjesa tjetër nuk duan ta pranojnë. Hera e fundit që mbaj mend një lloj sfide publike në stil ironik sfidues në një seancë parlamentare, është një koment i deputetit demokrat Tomor Alizoti që ironizoi të shkuarën e kryeministrit dhe familjes se tij në diktaturë. Por në mendjet e publikut nuk ka mbetur fjalimi i Alizotit, por nofka “Ludovik” që Edi Rama i vuri ne formë tallëse deputetit gjatë një përballjeje në një emision televiziv referuar një personazhi filmash të realizmit socialist.
Pra Rama nuk ka skrupuj apo limite. Improvizon dhe përdor çdo aset kultural ose fragmental, për të krijuar avantazh në publik, me çdo mënyrë të sjellshme apo të pasjellshme. Kjo nuk i krijon atij asnjë moment diskonforti, pasi e ka paralajmëruar e konfirmuar se është një politikan atipik. Kjo e bën edhe të adhuruar edhe të urryer në popullatë. Dhe faktet tregojnë se deri më sot rezulton se ata që pretendohet se e urrejnë janë më pak e vijojnë të jenë edhe më pak çdo palë zgjedhje. Kjo mesa duket se urrejtja, frustrimi dhe gjuha agresive refraktare, duket se nuk është efikase për të krijuar efekt elektoral. Në të njëjtën valë me opozitën është pozicionuar edhe një pjesë e medias që nga pikëpamja e nivelit profesional lë për të dëshiruar e Rama këtë e përdor herë si mëshirë e herë si dënim me riedukim për ata që i kategorizonte dikur kazan mediatikë e sot i shpërfill me heshtje e bojkot. Ndaj territori i tij politik, në vend se të ngushtohet vjen e zgjerohet. Pra dialektika e pushtetit të gjatë që bie nën vete po thyhet. Edhe ata që flasin për vjedhje votash e kanë të qartë, që nuk është kjo e vërteta dhe nëse nuk e kanë të qartë kjo është akoma më keq për ta e më shumë në favor të jetëgjatësisë së pushtetit të Ramës. Në Shqipëri nuk merret kush me programe, me teza e me antiteza.
Njerëzit mendojnë ca më shkurt e më thjesht. Shkojnë me atë bën diferencën. Së pari shqiptarët janë popull që ecën me aparencë e në këtë aspekt Edi Rama është i padiskutueshëm. Është politikan reaktiv dhe prodhon pëlqim dhe reaksion duke mbajtur në tension të vazhdueshëm vëmendjen ndaj tij. Kjo nuk është as e lehtë dhe jo gjithmonë rezultative e për më tepër e suksesshme, por ai ja ka dalë të jetë gjithnjë aty, i vetmi për t’u mundur në ringun politik. Në aspektin e betejës me opozitën ka dominuar prej vitesh i vetëm arenën politike duke patur në varkën e tij politike jo ndonjë kualitet të dukshëm për t’u mbështetur ose bërë diferencën me kundërshtarët.
Njerëzit pranojnë politikat dhe mënyrën sesi ai qeveris edhe pse dritëhije të mëdha rëndojnë mbi supet e tij si kryeministër nga kostot e prodhuara prej njerëzve të cilëve u ka besuar pushtet. Dhe thënë këto, kuptohet se deri tani kundërshtarët si në parti dhe jashtë saj, kanë qenë shumë poshtë nivelit të tij. Kjo vazhdon ta mbajë atë në kuota të larta të preferencës publike, si zgjedhja më e mirë qeverisëse e para politike. E kjo nuk është një apologji për Edi Ramën, por është një apologji e së vërtetës. Nëse nuk kuptohet e pranohet ky realitet, Edi Rama do të vazhdojë të jetë në pushtet deri kur ai të vendosë te ikë vetë!