“Ramës po i pakësohen batutat”, Arben Tafaj: Duka kandidat dinjitoz, nuk kthehet më 2017

Pas zotit Duka, edhe nënkryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste dhe kandidat për deputet në qarkun e Tiranës, Arben Tafaj, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Rama se kreu i PPA-së nuk ka çfarë jep më në Durrës.

Për Ora News, Tafaj thotë se Rama është jashtë sintonie me batutat e tij bajate që tashmë nuk i beson askush.

Sipas tij, kreu i PS është në përpëlitjet e fundit pasi në këto zgjedhje nuk do ti mjaftojë as darja për të fituar.

Tafaj: Mesa duket zotit Rama po i pakësohen batutat. I iku mundësia për të fituar me tepsinë dhe timonin, kësaj radhe mesa duket nuk i mjafton të fitojë dhe me dajre po të dalë para fituesve të tij dhe tani retorikën e tij të dalë boje e ka shpërndarë jo thjesht kundrejt subjekteve politike por edhe duke u marrë me liderë politik me njerëz i kanë dalë për zot vendit të vet, vatanit të vet, Shqipërisë dhe janë njerëz të nderuar dhe të respektuar. Nëse Rama flet kështu për zotin Duka padyshim për të gjithë opinionin shqiptar dhe në mënyrë të veçantë për opinionin durrsak ai është jashtë sintonie, është në një bandë ku nuk e dëgjon dot asnjeri. Zoti Duka është kandidati më dinjitoz për qarkun e Durrësit, ndër njerëzit dhe liderët e politikës shqiptare më të respektuar në mbarë Shqipërinë. Rama le ti fryjë kësaj retorike se nuk mund të kthehet më 2017, askush nuk mund të lahet dy herë në të njëjtin ujë se koha rrjedh dhe njerëzit e kanë kuptuar se çfarë fshihet pas batutave të zbrazta të kryeministrit Shqipërisë.

Tirana është përcaktuese për fitoren e secilës palë në rang kombëtar. Duke analizuar listat në të dy krahët, Tafaj thotë se PS largoi edhe tiransin e fundit që i kishte mbetur, zotin Sadi Vorpsi.

Tafaj: Nuk dua të merrem me emra konkretë. Por pak ditë më parë morëm vesh se një qytetar autokton i Tiranës, Vorpsi u tërhoq nga politika dhe pse në moshën 50-vjeçare dhe me një kontribut dhe familje me rrënjë shumë të thella në qytetin e Tiranës. PS u zbraz pothuajse fare edhe nga ato pak elementë që i mbante deri diku për makiazh sepse nuk u linte funksione reale. E kundërta ndodh me listën e PD, që ka listuar një numër të konsiderueshëm përfaqësuesish autoktonë të Tiranës, njerëz të nderuar, të familjeve të nderuar. Tirana ka qenë gjithmonë determinuese.Ndryshimi do të fillojë dhe do të mbarojë te Tirana, Tirana do të jetë qyteti që do të përcaktojë fitoren kombëtare të Aleancës për Ndryshim, opozitës së bashkuar.

SHKARKO APP