Rampa, për disa kjo është ngjitja e malit Everest

Nga Lavdrim Lita – E quajnë barrierë fizike arkitektonike dhe mendon se do përballesh me një mur, pengesë e pakalueshme, por mjaftojnë disa centimetra në trotuar, mungesë pendencash në hyrje pallatesh e godinash, për të pasur përpara një mur që të lë jashtë shoqërisë.  Në një ditë të zakonshme  pengesa e parë për një person me aftësi të kufizuara lëvizëse janë hapësirat ndarëse ndërmjet trotuareve të cilat janë të ngritura nga niveli i asfaltit pothuajse 10-15 cm, gjë që nuk e lejon lëvizjen e lirshme.
 Në uebsajtin e avokatit të Popullit gjendet ankesa e familjarëve të nxënëses A.M, 15 vjeçe, e cila ndiqte shkollën 9 vjeçare “Gjok Shqiptari” , dhe vetëm pas disa muajsh, me mbarimin e ciklit 9 vjeçar do të vijonte studimet në shkollën e Mesme “Muharrem Çollaku” në Pogradec, por pamundësia e rampës (shkallën e  pjerrët), në hyrje e në brendësi të ambienteve të shkollës, e përjashtonte atë nga ndjekja e procesit të arsimimit e të edukimit, si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Si kjo nxënëse në Pogradec, ka qindra të tjerë më të vegjël apo më të rritur që përballen me barriera fizike arkitektonikesh në godinat, rrugë dhe hapësirat publike.
Vëmendja për të krijuar lehtësira në komunikimin e personave me aftësi të kufizuar nuk kanë qenë ndonjëherë e lartë. Edhe pse janë ratifikuar konventa, miratuar ligje dhe vendime të këshillit të ministrave, jo shumë është bërë për të mundësuar që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të jetojnë në mënyrë të pavarur dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës. Situata paraqitet problematike për qasjen e personave me aftësi të kufizuar në vendet e punës, në dhomat e fshehta të votimit, banka, gjykata, prokurori e polici, apo spitale, poliklinika e farmacitë me rimbursim ku realiteti tregon se kjo kategori nuk është e kufizuar vetëm nga aftësitë e veta, por edhe nga mundësia që u krijohet për lëvizje dhe komunikim.
Ndonëse disa institucione kryesore kulturore në kryeqytet kanë marrë masat për heqjen e pengesave fizike, duke përmendur Muzeun Historik Kombëtar, Teatrin e Operas dhe Baletit, Bashkia Tirane, apo dhe institucione të tjera, që më parë ishin krejt të paaksesueshme, sot janë bërë disi normale.
Megjithatë mungesa e shkallës së pjerrët në hyrje të institucione publike jashtë kryeqytetit, mungesa e korsive të veçanta dhe rampave në shumë rrugë të Tiranës, por dhe në shumë qytete të tjera,  ku qytetarët me aftësi të kufizuara lëvizëse duhet të shkojnë shpesh është bërë një sfidë e përditshme. Timo Toska, kryetar i Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve të Fierit në një prononcim për mediat, e cilësoi indiferente vëmendjen e pushtetit vendor ndaj kërkesave të tyre. “Lëvizjen në qytet ne e kemi të vështirë sepse nuk ka rampa në të gjitha institucionet publike, po ashtu edhe pendesat në rrugë janë të pamjaftueshme. Unë personalisht nuk lëviz dot brenda një institucione dhe do të pres jashtë një person tjetër që ti thërrasë një zyrtar të një institucioni që kërkoj. Po erdhi ai e mbaroj punën, nëse ai nuk vjen unë nuk e mbaroj. Kemi bërë shumë kërkesa në bashki, prefektura këto kanë rënë në vesh të shurdhër”, tha ai. Në shoqatën e tij z. Toska numëron rreth 350 persona invalid, ku 50% e tyre lëvizin me karroca, por në të gjithë qytetin e Fierit ka vetëm 20 rampa.
Vështirësitë fizike arkitektonike janë të njohura për shkak se shpesh herë pallatet e reja që ndërtohen shkurtojnë shpenzimet për njësi të tilla dhe pa folur për pallatet e vjetra parafabrikat që janë krejt të paaksesueshme. Transporti publik është një problem tjetër sepse edhe kur ekzistojnë rampat nëpër autobusë, stacionet nuk kanë lartësinë e duhur për të qenë të përputhshme, dhe  për të vijuar më pas  më pas edhe në mungesën e rampave të duhura edhe në institucione ku këta persona duhet të kryejnë shërbimet e përditshme, qoftë kjo nëpër spitale, supermarket, zyra shtetërore, institucione arsimore, etj. Nganjëherë ngatërrohet rampa me pendencën e hyrjes në institucione, por rampa duhet të ketë një sërë mekanizmash që lejon autonominë e personin sepse edhe nëse ka pjerrtësi do të thotë që do të jetë e nevojshme prania e një personi tjetër.  
 
Harta e Aksesit, por vetëm për Tiranën
Ekziston një platformë online www.aksesi.al ku gjendet një guidë e aksesit në Tiranë e krijuar nga “Megaphone.al”. Në një prononcim Taulant Merkuri, drejtuesi ekzekutiv i projektit, thotë se platforma është ideuar për të ofruar zgjidhje konkrete për të lehtësuar jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuar. “Ne duam që komuniteti të reagojë dhe të sinjalizojë institucionet që janë të aksesueshme dhe jo të aksesueshme. Në Tiranë janë vetëm 3-4 institucione qendrore që janë në rregull.  Në hartën e aksesit të Tiranës ne kemi vënë tre simbole kur një vend është i aksesueshëm për karrocat me rrota: Jeshile, e aksesueshme plotësisht nga përdoruesit e karriges me rrota; e verdhë,  e aksesueshme pjesërisht; e kuqe, nuk është e aksesueshme nga përdoruesit e karriges me rrota”, thotë drejtori i Megaphone.al, z. Merkuri.
Në fakt, kur shikon hartën gjëja e parë që konstaton është numri jo i lartë i simboleve jeshile, dhe shpeshtësia e ngjyrës së kuqe në hartë, çka sinjalizon një mungesë të aksesueshmërisë në institucione.  Për të bërë këtë hartë ata kanë vizituar institucionet publike në Tiranë për të verifikuar nëse janë në përputhje me ligjet e përcaktuara lehtësimin e shërbimeve për përsonat më aftësi të kufizuara. “Ne shikojmë jo vetëm trotuarin dhe rampën pranë institucionit, por edhe sa e lartë është tavolina e recepsionit, ashensori, tualetet nëse janë në përputhje me ligjin”, shton z. Merkuri.
Edhe pse harta e aksesi.al aktualisht është vetëm për kryeqytetit, platforma do të zgjerohet edhe në qytete të tjera, duke parë që edhe vëmendja e shoqërisë civile dhe e medias është më e kufizuar, ndonëse problemet në këto janë shumë më të mëdha sepse shoqërohen jo vetëm me  mungesën e infrastrukturës, por edhe  me mungesën e mundësive ekonomike të familjeve.  Një studim i kohëve të fundit i PNUD ka treguar se personat me aftësi të kufizuara në familjet e varfra shqiptare, krahasimisht me personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në familje të kamura kanë gjasa të kenë më shumë se një aftësi të kufizuar. Po ashtu në një studim të kryer një vit më parë nga PNUD për të profilizuar përjashtimin social të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri, shkruhet se,  “se mungesa e aksesit dhe përshtatshmërisë fizike, aksesi i dobët në infrastrukturë dhe informacion, aksesi i dobët përsa u takon shërbimeve rehabilituese, kostot e papërballueshme të trajtimit dhe qëndrimet dhe praktikat diskriminuese e minojnë potencialin e personave me aftësi të kufizuara”.
 
Jo vetëm rampat  
E vërteta është se aksesueshmëria është më shumë se sa rampat. Ajo ka të bëjë edhe me semaforët sinjalizues akustik për ata që nuk shikojnë, apo shoqëruesit e trotuareve që janë ca pllaka speciale që personat që nuk shikojnë i ndjejnë me anë të shkopit. Tabelat në institucione publike nuk janë të aksesueshme në gjuhën e shenjave Braille. Në shkolla mungojnë interpretët e gjuhës së shenjave dhe mësuesit mbështetës. Dyert e spitaleve dhe poliambulancave janë të ngushta, ndërsa pajisjet mjekësore nuk janë të aksesueshme. Në mungesë të rampave, ashensorëve me platformë dhe lehtësirave të tjera, rrugët, shkollat, qendrat shëndetësore, spitalet, drejtoritë shtetërore, dyqanet dhe pikat e argëtimit mbeten jashtë mundësive të personave me aftësi të kufizuar.
Në fillim të 2014 u nis një projekt shumë i mirë nga ministria e Mirëqenies Sociale dhe 26 studentë të Arkitekturës që vlerësuan 77 objekte në duke përfshirë të gjitha ministritë pa barriera. Informacioni mbi gjendjen e godinave dhe projektet për ndërhyrje arkitekturore iu është vënë në dispozicion ministrisë përkatëse, të cilat shumë pak i janë përgjigjur deri më sot thirrjes për heqjen e barrierave fizike për personat me aftësi të kufizuara lëvizëse .  
Si do që të jetë, një gjë është e sigurtë: barrierat fizike arkitektonike, janë vetëm një nga shumë barriera me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara gjatë përpjekjeve për pjesëmarrje të plotë dhe efektive në shoqërinë shqiptare. Po ashtu duhet të përsërisim se shërbimet publike që ofron administrate nuk janë publike për sa kohë jo të gjithë kanë akses në to, dhe një shtet që nuk garanton aksesin në godinat e veta ngelet nuk ka gojë t’ua kërkojë të tjerëve eliminimin e barrierave. Për të arritur një shoqëri vërtet gjithëpërfshirëse ne duhet të bashkojmë forcat për të hequr pengesat, të dukshme dhe të padukshme. 

SHKARKO APP