Raporti, 17 policë të arrestuar në 3 muaj! Rasti më i bujshëm kapja e efektivit me 113 mijë euro

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në tre muajt e parë të këtij viti ka arrestuar 17 punonjës policie, të akuzuar për vepra të ndryshme penale nga të cilat dominon ajo për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Për 12 efektivë është caktuar masa ”arrest në burg”, 4 janë lënë në “arrest shtëpie” dhe një tjetër u lirua në ”detyrim paraqitje”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar në prokuroritë e rretheve në të gjithë vendin 40 punonjës policie për t’u hetuar në gjendje të lirë, kryesisht për ankesa që kanë ardhur nga qytetarë të pakënaqur me shërbimet.

Rasti më i bujshëm i këtij tre mujori të parë të vitit 2023 ishte arrestimi i Shefit të Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, Altin Morina, të cilit iu gjetën 113 mijë euro në makinë. Ai akuzohet për pastrim parash dhe lidhje me grupet kriminale në vend.

Për të Gjykata e Tiranës caktoi masën “arrest në burg” pa afat dhe hetimet do të qartësojnë rolin e tij dhe origjinën e parave që iu gjetën në sediljen e përparme të pasagjerit në “Audin” me të cilin ishte në lëvizje.

SHKARKO APP