Raporti i DASH-it, Tabaku: Zi e më zi e kanë çuar rilindasit e Ramës Shqipërinë
Investitorët amerikanë konsiderojnë korrupsionin e përhapur, garën e padrejtë dhe gjyqësorin jofunksional si pikat më të dobëta që po pengojnë investimet drejt Shqipërisë. Në raportin e fundit për Klimën e Investimeve, DASH-i thekson nevojën e reformimit të drejtësisë.
Lidhur me këtë raport të publikuar së fundmi ka reaguar edhe ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku e cila thekson se jo rastësisht DASH-i evidenton situatën e rëndë të Shqipërisë në raport me investimet e huaja.
Në reagimin e saj përmes rrjeteve sociale, ish-ligjvënësja demokrate akuzon Qeverinë “rama” dhe mazhorancën socialiste që të cilët sipas saj zi e më zi e kanë çuar Shqipërinë; korrupsioni alarmant, koncesionet abuzive dhe PPP-të që kanë shkatërruar tregun e lirë.
“Jo rastësisht DASH evidenton situatën e rëndë të Shqipërisë në raport me investimet e huaja.
Korrupsioni është një pikë nevralgjike që lidhet me mungesën e dëshirës për investime të huaja kjo e shoqëruar me mungesën e transparencës sidomos në prokurimet publike ka sjelle Kontrata të vështira për tu zbatuar.
Korrupsioni më qeveri dhe mbi të gjitha tendera është i gjithëpranishëm dhe bashkë me Rritjen e pakontrolluar të kontratave PPP ka shkatërruar tregun dhe ka bërë të pamundur konkurrencën.
Investitorët e huaj ballafaqohen me raste korruptive dhe kërkesa për pagesa të tilla.
Jemi vendi më i korruptuar në rajon sipas Transparency International, kemi renditjen më të keqe për përthithjen e sipërmarrjeve inovative dhe gjithashtu përkeqësohemi nga viti në vit në Doing Business.
Zi e më zi e kanë çuar Shqipërinë; korrupsioni alarmant, koncesionet abuzive dhe PPP-të që kanë shkatërruar tregun e lirë.
Kjo nuk është e ardhmja e Shqipërisë as e ardhmja e shqiptarëve që humbasin vendet e punës. Shqipëria në punë është besimi, vizioni dhe beteja jonë!”, shprehet ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
Raporti i DASH-it
Shqipëria mbetet një vend i padëshirueshëm për investitorët e huaj për të shtatin vit me radhë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit evidenton korrupsionin, mungesën e transparencës, garën e padrejtë dhe monopolet, dhe gjyqësorin jofunksional, si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.
“Pavarësisht nga korniza e shëndoshë ligjore dhe përparimet me reformën elektronike, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për biznes. Perceptohet ndër më të korruptuarit e Ballkanit Perëndimor. Raportet për këtë në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, ndërsa përdorimi në rritje i kontratave PPP të partneritetit publik-privat, pa analiza të sakta të kosto-përfitimeve, ka ulur mundësitë për konkurrencë”, thuhet nw raport.
DASH-i thekson se të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë po ashtu një sfidë, sidomos fitimi i pronësisë, lejet e ndërtimit dhe mbrojtja e investitorëve. Korrupsioni endemik edhe në këtë fushë vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të manipulojë apo frenojë zhvillimin ekonomik.
“Ka pasur raste që dyshohet se individët e manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë jo ligjërisht titujt e tokës. Mbivendosja është një çështje serioze dhe e zakonshme. Kompensimi i tokës së konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i komplikuar, joefikas dhe i papërshtatshëm”, thekson raporti i DASH-it.