Raporti i Eurostat për varfërinë, deputeti i PD: Të rinjtë ikin, qeveria ofron veç propagandë
Në vitin 2019, gati 51% e shqiptarëve (50.8%) ishin në rrezik varfërie, ose përjashtimi social, një përqindje që është më e larta në Europë. Të dhënat janë publikuar nga instituti europian i statistikave, Eurostat. Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu thotë se Shqipëria ka sot shifrat më të larta të përjashtimit social dhe varfërisë. Për të 51 për qind e shqiptarëve, janë në rrezik varfërie, ndërsa nuk lë pa akuzuar qeverinë se ka rrënuar ekonominë dhe vjedhur xhepat e qytetarëve çdo ditë, duke i bërë kushtet e jetesës mizerabël.
Postimi i plotë
Shqipëria ka sot shifrat më të larta të përjashtimit social dhe varfërisë! Eurostat tregon edhe njëherë gjendjen reale të varfërisë së shqiptarëve. Shqiptarët ikin sepse realiteti nuk është ky që dëgjojmë çdo ditë nga propaganda.
51% e shqiptarëve në rrezik varfërie. Ata të rinj që nuk e gjetën shpresën, mundësinë dhe derën e hapur në vendin e tyre u larguan. Sipas grup-moshave, në rrezik varfërie dhe përjashtimi social janë 53.9% e fëmijëve nën 18 vjeç, sërish më e larta në Europë.
Qeveria flet për rrite rrogash, për rritje të ekonomisë dhe bën premtime boshe për të rinjtë tanë. Po cilët të rinj? Ata që kanë braktisur vendin e tyre për t’u ushqyer? Apo ata që kërkojnë me ngulm çdo ditë një mundësi për tu larguar?
Fatkeqësisht ky është realiteti ynë, pse? Sepse kjo Qeveri e ka rrënuar ekonominë, kjo Qeveri i vjedh xhepat e qytetarëve shqiptarë çdo ditë duke i bërë kushtet e jetesës mizerabël dhe duke detyruar njerëzit e vetë të largohen.