Raporti i Global Initiative: Siguria në portin e Durrësit e ulët, shfrytëzohet nga kriminelët për kokainën
Organizata joqeveritare “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” (Global Initiative) ka publikuar sot një raport për rrugët ballkanike të trafikimit të lëndëve narkotike. Konkretisht në këtë raport flitet për trafikun ndërkombëtar të kokainës që bëhet përmes rrugëve detare. Në kapitullin për Shqipërinë përmendet Porti i Durrësit si port me risk për rrugët e trafikimit të kokainës.
“Global Initiative” evidenton disa hallka të dobëta të sigurisë në Portin e Durrësit, që u jep mundësi trafikantëve për të transportuar kokainë duke shfrytëzuar konteinerët që vijnë nga vende të ndryshme të botës, e specifikisht konteinerët me banane, që siç dihet, në vendin tonë janë kapur disa ngarkesa të tilla me kokainë.
“Rruga prej 1 kilometër që ndan terminalin e konteinerëve me skanerin, megjithëse është brenda perimetrit të portit, niveli i sigurisë është dukshëm më i ulët se në zonat e tjera portuale. Kjo mund të japë kriminelëve kohë për të ndërhyrë në konteiner përpara se të jenë kontrolluar. Autoritetet janë të vetëdijshme për këtë rrezik, megjithëse pranojnë që zhvendosja më vonë e terminalit të konteinerëve mund të jetë shkas për të bërë investime në pajisje të reja skanimi”, thuhet në raportin e Global Initiative për Portin e Durrësit.
Në këtë raport përmendet edhe episodi i 28 Dhjetorit 2021, kur në Romanat, në periferi të Durrësit, kamioni që sapo kishte marrë kontenierin nga Porti i Durrësit, u grabit në mes të rrugës nga persona të paidentifikuar. Policia zbuloi brenda konteinerit 119 kilogramë kokainë.
“Rasti i Romanatit ngrit shqetësime për efikasitetin e pajisjeve të skanimit të portit. Nga hetimet rezultoi se konteineri kishte kaluar të gjitha kontrollet e transitit në një port të Italisë, ku autoritetet doganore italiane kishin vënë re parregullsi në dokumente dhe mungesë të arkave me banane në konteiner. Më pas konteineri i mbushur me kokainë mbërriti në Portin e Durrësit dhe pasi kaloi në doganë dhe në skaner u lejua nga autoritetet lokale të cilët nuk kishin vënë re parregullsi”, evidentohet në këtë raport.