Raporti i KLSH-së, kryetari Arben Shehu: 4 kallëzime penale për 16 zyrtarë në 2022-shin

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu prezantoi sot përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë raportin vjetor të veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2022. Gjatë fjalës së tij, Shehu paraqiti performancën e punës së institucionit duke e vënë theksin tek vëmendja që i është kushtuar aktivitetit auditues dhe jo vetëm, duke kontribuar në rritjen e besimit tek institucioni, për rolin e tij në rritjen e përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve publike, si dhe rritjen e transparencës ndaj taksapaguesve shqiptarë.

“Veprimtaria audituese e KLSH-së për vitin 2022, bazuar në risk, është fokusuar në identifikimin e shkeljeve, mangësive në sistemet e kontrollit në aktivitetin e subjekteve të audituara me pasoja në buxhetin e shtetit, të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe të shoqërive publike, si dhe në administrimin e pronës publike. Nga auditimet e kryera në vitin 2022 janë konstatuar 1,508,739 lekë dëm ekonomik, nga të cilat 52 % në fushën e të ardhurave dhe pjesa tjetër në shpenzime. Dëmi ekonomik në fushën e të ardhurave është evidentuar kryesisht në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore etj., ndërsa në shpenzime, 91 % i përket dëmit në shpenzimet për investime dhe pjesa tjetër në shpenzimet operative, në fushën e pagave, etj.”, u shpreh Shehu.

Lidhur me rekomandimet, kreu i KLSH sqaroi se për vitin 2022 janë adresuar 5420 rekomandime, nga të cilat: 52 propozime për përmirësime ligjore; 3283 masa organizative; 1047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për efekte negative në buxhet.

“KLSH ka referuar pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore 4 kallëzime penale për 16 zyrtarë të niveleve të ndryshme, si dhe për 7 vendime të Kryetarit të KLSH-së, është kërkuar trajtimi tekniko-juridik i gjetjeve të konstatuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit, për vlerësim të elementëve penalë dhe referim pranë organit të prokurorisë, raste këto të cilat më pas i janë dërguar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar dhe kërkesës së këtij organi”, tha Shehu.

SHKARKO APP