Raporti i Komisionit Europian me kritika për KLP dhe KLGJ: Në Magjistraturë japin mësim të larguarit nga Vetting-u

Komisioni Europian ka dalë me një raport për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, ku zbulon boshllëqet dhe problemet me të cilat vijon të përballet sistemi gjyqësor dhe institucionet shqiptare të Drejtësisë. Raporti ende në fazën e një Drafti konfidencial, ngre shqetësime mbi funksionimin e KLGJ dhe KLP. Një fakt i rëndë konsiderohet edhe punësimi ne Shkollën e magjistraturës të emrave të lënë jashtë sistemit nga Vetting-u.

”Fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë vetingut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës. Duhet të bëhen përpjekje të mëtejshme për të forcuar cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë dhe pavarësisë, veçanërisht në lidhje me vlerësimet profesionale në kohë dhe cilësore, emërimet, ngritjet në detyrë dhe transferimet e magjistratëve, emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, aksesin në drejtësi, një sistem modern të integruar elektronik të menaxhimit të çështjeve, trajnimin gjyqësor, burimet njerëzore dhe financiare, qëndrueshmërinë dhe arsyetimin e jurisprudencës, kohëzgjatjen e procedurave dhe grumbullimin e çështjeve të prapambetura”,– thuhet në raport.

Për shkollën e magjistraturës, konsiderohet “i rëndë”, “fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë Vetting-ut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës”. Shqetësim për Brukselin mbeten problemet e vërejtura dhe më parë, në dy organet kryesore të sistemit, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Sfidat për të kryer në kohë dhe me cilësi, vlerësimet, emërimet, ngritjet në detyrë dhe transferimet e magjistratëve mbeten të pranishme, ndërkohë që Këshillat vijojnë të mos kenë rregulla të rëndësishme funksionimi”. Sipas draft Raportit nuk është shënuar ndonjë zhvillim domethënës nga KLGJ-ja dhe KLP-ja, në forcimin e transparencës për ngritjet në detyrë dhe transferimet. ”KLGJ-së, i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e saj në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen”, vë në dukje dokumenti i Brukselit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Aksesi në drejtësi ende jo në nivelin e duhur, me sistemin e integruar modern elektronik që sipas KE pritet të bëhet funksional vetëm në vitin 2030. Situata me stokun e çështjeve të mbartura është përkeqësuar sipas Komisionit Evropian “ndërkohë që masa vendimtare për rritjen e efeciencës ende nuk janë zbatuar”.

Dy janë institucionet e vlerësuara nga ky raport: SPAK dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Për SPAK-un, dokumenti vë në dukje se: ”Ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, megjithëse vijojnë mungesat në staf dhe infrastrukturë. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat e posaçme për korrupsion dhe krim të organizuar kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. SPAK shfaq një vizion të qartë strategjik dhe pavarësi në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. SPAK gëzon një nivel të lartë besimi nga publiku.Është bërë përparim i prekshëm nga SPAK drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, ndërkohë që është përmirësuar përdorimi i hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurive”.

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, raporti kujton se Shqipëria ka miratuar një strategji të posaçme në dhjetor të vitit 2024. Por, sipas Brukselit “strategjia kundër korrupsionit paraqet disa dobësi, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e monitorimit dhe koordinimin institucional, gjë që mund të reduktojë efektivitetin e saj në parandalimin dhe uljen e korrupsionit. Edhe pse ekziston një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për luftën kundër korrupsionit, mbeten disa boshllëqe”.

Sa i përket ILD-së, dokumenti i Brukselit vë në dukje se, “Inspektori i Lartë i Drejtësisë është funksional, por numri i lartë i vendeve vakante për inspektorë-magjistratë ndikon në funksionimin efektiv të tij. Aktualisht janë në detyrë vetëm 9 nga 20 inspektorë. Procesi përzgjedhës për katër inspektorë jo-magjistratë është ende në zhvillim. Ka ende vështirësi për ta bërë pozicionin e inspektorit tërheqës për magjistratët dhe kërkohen ndryshime ligjore për të rritur tërheqjen e këtij pozicioni. Procedura e rekrutimit për komandimin e gjashtë magjistratëve në ILD ka rezultuar e pasuksesshme”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?