Raporti i Komisionit të Venecias: PD-PS, pakt për sistemin zgjedhor
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur një pakt mes tyre për të mos e prekur sistemin zgjedhor aktual proporcional kombëtar, edhe pse kërkesat kryesore të aleatëve të tyre kanë qenë që të ndryshohet sistemi zgjedhor. Ky pakt konfirmohet nga eksperti i Komisionit të Venecias, Iurie Ciocan, i cili po asiston Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Në raportin e hartuar nga eksperti zgjedhor konfirmohet fakti se PS-ja dhe PD-ja kanë kërkuar nga ndërkombëtarët asistencë për t’u dhënë të drejtën qytetarëve që janë jashtë vendit të votojnë, por me kushtin taksativ për të mos prekur sistemin aktual zgjedhor.
“Si Partia Socialiste (në qeveri), ashtu dhe Partia Demokratike në (opozitë) e mbështesin nevojën e miratimit të ndryshimeve në ligjin zgjedhor, që do t’u jepte mundësi qytetarëve shqiptarë që janë jashtë shtetit në ditën e zgjedhjeve të marrin pjesë në votim. Vullneti i vendosur politik, i PD dhe PS është, në të njëjtën kohë, që të vazhdojnë ta mbajnë sistemin aktual zgjedhor dhe sistemin e shpërndarjes së mandateve siç është”, thekson raporti i ekspertit të Komisionit të Venecias.
Sistemi aktual proporcional kombëtar u garanton kryetarëve të partive pushtet absolut mbi zgjedhjen e kandidatëve. Sistemi zgjedhor u jep të drejtën krerëve të partive që të hartojnë listën e kandidatëve në çdo zonë zgjedhore dhe renditjen tyre në bazë të preferencave. Po ashtu, ligji elektoral aktual favorizon partitë e mëdha, pasi zgjedhja e deputetëve bëhet në bazë të një formule matematike, e cila diskriminon partitë e vogla dhe ato parti që garojnë jashtë koalicioneve. Po ashtu, ndryshimet në Kodin Elektoral të vitit 2009 penalizojnë dhe kandidatët e pavarur, të cilëve u “nxihet jeta”, duke mbledhur firmat e qytetarëve për të garuar në zgjedhje./Panorama/
KOHA JONË SONDAZH

