Raporti i ODIHR-it për 14 Majin, reagon Bylykbashi: Grusht turinjve zgjedhjeve lokale
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka reaguar pas raportit të publikuar nga ODIHR-i mbi zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Ai është shprehur se ky është një ndër raportet më të zeza në 30 vjet, i vetmi që krahasohet me të është raporti i vitit 2001. ”Po të shkosh pak përtej kopertinës diplomatike të hyrjes dhe të lexosh detajet e konstatimeve, raporti nxin nga shkeljet. Njësoj si në 2001. Edi Rama i ka kthyer zgjedhjet 22 vite pas. Mos u çuditni që të dalë nesër e të thotë: Raporti i ODIHR është kinezëri”,-shkruan Bylykbashi.
Postimi i plotë
Raporti i ODIHR-it i fut një grusht turinjve zgjedhjeve të 14 majit 2023. Ndër raportet më të zeza në 30 vjet. I vetmi që krahasohet me të është raporti i vitit 2001.
Qeveria ka abuzuar masivisht me pushtetin dhe burimet shtetërore në favor të kandiddatëve të saj, duke prishur barazinë e garës që kërkojnë standartet e OSBE. Raporti fshikullon KQZ se i ka hapur derën dhe ka lejuar qeverinë të abuzojë e të shkelë ligjin që KQZ ka detyrë të garantojë. Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit që kanë shkelur barazinë në zgjedhje duke abuzuar me burimet dhe pushtetin shtetëror për të fituar avantazh zgjedhor.
Është bërë presion mbi zgjedhësit, përfshirë mbi administratën me vende pune, shërbime shtetërore e duke i kërcënuar Kryeministri se do t’u ndërpresë financimet nëse votojnë opozitën. Pra zgjedhësit nuk kanë qenë të lirë. Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit që kanë ushtruar presion mbi zgjedhësit.
Është cënuar sekreti i votës gjatë votimit nga komisionerët apo persona të tjerë si dhe operatorët e votimit elektronik, duke lejuar dendur votim familjar, votim në grup, votim në emër të votuesve të tjerë apo duke i udhëzuar zgjedhësit si të votojnë tek dhoma e fahehtë. Vota që nuk është sekrete nuk është e lirë. Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit që kanë cënuar sekretin e votës.
Patronazhimi dhe përdorimi i të dhënave personale të zgjedhësve, të përdorura nga PS, është përdorur për të kontrolluar në masë zgjedhësit. Kjo përbën cënim të lirisë së zgjedhësve. Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit e cënimit të lirisë e që kanë ushtruar presion mbi zgjedhësit.
Shitblerja e votës është problem prej kohësh dhe ka minuar integritetin e zgjedhjeve thotë Rekomandimi Prioritar nr.2. Qartazi fshikullon përgjegjësit që nuk kanë bërë gjë për ta goditur këtë krim (në 2017 shitblerja e votës u bë vepër korrupsioni dhe nga 2020 SPAK ka përgjegjësinë ekskluzive për ta hetuar e ndëshkuar por sipas ODIHR del se nuk është bërë asgjë). Rekomandimi prioritar nr. 1: Duhen hetuar përgjegjësit e shitblerjes së votës.
Mjafton të lexosh rekomandimet prioritare 1-5 dhe konkluzioni është që zgjedhjet nuk ishin të fshehta, të lira apo të barabarta. Do të thotë që zgjedhjet nuk ishin të ndershme dhe demokratike.
Po të shkosh pak përtej kopertinës diplomatike të hyrjes dhe të lexosh detajet e konstatimeve, raporti nxin nga shkeljet. Njësoj si në 2001. Edi Rama i ka kthyer zgjedhjet 22 vite pas. Mos u çuditni që të dalë nesër e të thotë: Raporti i ODIHR është kinezëri.