Raporti i Parlamentit Evropian, reagon Kryeministria: Konfirmon progresin e Shqipërisë drejt BE-së!

Qeveria shqiptare ka mirëpritur miratimin nga Parlamenti Evropian të raportit për progresin e Shqipërisë gjatë viteve 2023–2024, duke e cilësuar atë si një vlerësim të rëndësishëm politik dhe institucional në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë zyrtare, Kryeministria thekson gjuhën inkurajuese dhe pasqyrimin objektiv të reformave në raport, duke shprehur mirënjohje të veçantë për eurodeputetin Andreas Schieder, raportues për Shqipërinë, për angazhimin dhe balancën në vlerësimin e bërë.

Raporti, i miratuar në seancën plenare të datës 9 korrik në Strasburg, pas miratimit paraprak nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET), përfaqëson mbështetjen e gjerë që procesi i zgjerimit gëzon në Parlamentin Evropian dhe njeh progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për hapjen e kapitujve të negociatave.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Shqipëria është një partner i fortë dhe i besueshëm i BE-së”, thuhet në raport, i cili vlerëson hapat përpara të ndërmarra në fushat kyçe si sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe modernizimi i administratës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Qeveria shqiptare e cilëson këtë dokument si një sinjal të qartë mbështetjeje për avancimin në procesin e negociatave dhe riafirmon përkushtimin për të vijuar me ritme të larta reformat e nevojshme për integrimin evropian.

Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pas një tjetër vlerësimi pozitiv nga Komisioni Evropian mbi Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, duke përforcuar bindjen institucionale se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian.

Në përmbyllje, qeveria konfirmon se mbetet e angazhuar për një bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv me institucionet evropiane, duke mirëpritur të gjitha rekomandimet që synojnë thellimin e reformave dhe përparimin në procesin e integrimit, në të mirë të qytetarëve dhe të vetë projektit evropian.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?