Raporti i SPAK: Grupet kri*inale shqiptare janë në tregun e BE-së dhe në Britani, porti i Durrësit mbetet pikë tranziti
SPAK në raportin e fundit, evidenton se grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri kanë dhe shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe. Ato janë aktive në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të porosive, ose degëve të tyre në tregjet kriminale të mësipërme. Ndërsa kanë një prezencë ose lidhje të fortë në rrethin e Durrësit për shkak dhe të portit, i cili ka qenë dhe vijon të mbetet një pikë tranziti për drogën, që vjen nga Ballkani Lindor dhe shkon drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Pjesë nga raporti i SPAK-ut
Këta grupe janë aktive në tregjet kriminale të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, kryesisht Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani. Grupet kriminale të cilat merren me trafikimin e të gjitha drogave kryesore: Këto grupe janë aktive në tregjet kriminale të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, kryesisht Itali, Belgjikë, Holandë, Spanjë, Greqi dhe Gjermani.
Vihet re se, këto grupe kriminale kanë një prezencë ose lidhje të fortë në rrethin e Durrësit. Për shkak të portit më të madh në vend, qyteti i Durrësit ka qenë dhe vijon të mbetet një pikë tranziti për drogën, që vjen nga Ballkani Lindor dhe shkon drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Grupet kriminale të kësaj kategorie trafikojnë sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuane, por më pak sasi heroine.
Ajo që duhet nënvizuar është se, cilësia e drogave të trafikuara nga këto grupe kriminale është e një cilësie të lartë, gjë e cila është edhe një avantazh konkurrues i tyre ndaj grupeve kriminale të kombësive të tjera. Duke u nisur nga mesatarja e anëtarësisë së grupeve kriminale shqiptare, këto grupe mund të kategorizohen si grupe me numër të lartë anëtarësh. Mesatarja e anëtarësisë së këtyre grupeve është mbi 20 persona. Këto grupe kriminale dallohen gjithashtu edhe për jetëgjatësinë e aktivitetit të tyre kriminal, i cili nga momenti i fillimit të aktivitetit kriminal deri në arrestimin e tyre mund të shkojë mesatarisht deri në 7 vite.
Të tilla grupe kriminale operojnë me një strukturë gjysmë hierarkike, ku drejtuesi i lejon anëtarëve me role kyçe të organizatës të kenë autonomi në vendimmarrjen brenda funksioneve dhe nën strukturave që ata drejtojnë. Kryesisht drejtuesi, përfaqëson dhe drejton organizatën, kurse anëtarët e tjerë kyç përfshihen në koordinim, transport, trafikim, rekrutim dhe korruptim të zyrtarëve publik, për të pasur akses në pikat hyrëse dhe pritëse të sasive të narkotikëve dhe për të neutralizuar agjencitë ligjzbatuese.
Nga ana tjetër, edhe grupe të tjera kriminale të cilat nuk përfshihen në trafikun e narkotikeve, siç është rasti i “call center” apo i trafikimit të mallrave të kontrabanduara, rezultojnë të jenë shumë të sofistikuar, madje, shumë më të avancuar në teknikat e fshehjes së aktivitetit të tyre kriminal, kjo për vetë natyrën e aktivitetit të tyre, i cili mbështetet në përdorimin e gjerë të teknologjisë.
Grupet kriminale të specializuara në trafikun e kokainës: Grupet kriminale të kësaj kategorie janë kryesisht grupe të përqendruara në Amerikën e Jugut. Më pas, nëpërmjet lidhjeve me grupet kriminale shqiptare, të cilat janë aktive në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në bazë të porosive, ose degëve të tyre në tregjet kriminale të mësipërme, marrin përsipër sigurimin dhe sjelljen e sasive të konsiderueshme të kokainës me shumicë dhe të një cilësie shumë të pastër.
Disa nga portet hyrëse të kokainës në tregjet kriminale të BE-së, të cilat janë përdorur nga grupet kriminale shqiptare janë: Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Hollandë), Antëerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi) dhe në rajon (Durrës dhe Tivar). Janë evidentuar edhe rrugë ajrore, siç është rasti i aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Më pas sasitë e kokainës përzihen kryesisht në Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe në vendet ku trafikohen për t’u transferuar më pas në tregun e shitjes me pakicë” thuhet në raportin e SPAK-ut.