Raporti, mafia italiane përdor shqiptarët si vrasës me pagesë

 

Një raport i fundit i policisë italiane mbi bandat e Europës Lindore që operojnë në Itali i klasifikon shqiptarët si drejtues të trafikut të drogës dhe prostitucionit por edhe të lidhur me organizatën mafioze “Ndangheta”.

Raporti thotë se shqiptarët pjesëmarrës në aktivitete kriminale përdoren në mbarë Europën, sidomos nga mafia italiane,  shpeshherë edhe  si vrasës me pagesë. Sipas raportit janë më të paktët shqiptarët që po kryejnë vjedhje në Itali, teksa këtë krim po e kryejnë më së shumti gjeorgjianët.

Për përfshirjen e tyre në trafikun e kokainës, Bashkimi Europian ka paralajmëruar Italinë se trafiku i narkotikëve është intensifikuar nëpërmjet detit.

Sipas raportit janë disa protagonistët në këtë trafik dhe nga përplasja mes bandave për territorin e shpërndarjes ka sjellë edhe viktima. Ngjarjet e fundit ku një shqiptar është vrarë në rajonin e Bergamos, shihet nga karabinierët italianë si rezultati i një konflikti mes bandash që merren me të njëjtat trafiqe.

Në raport shqiptarët cilësohen si “ujqër të vetmuar” që enden në Europë të ngarkuar për të kryer vrasje. Janë persona të padënuar më parë, që udhëtojnë me pak sende me vete dhe humbin menjëherë gjurmët.

Sa i përket prostitucionit, ka fakte se shqiptarët kanë bërë aleanca të ndryshme me rumunët. Këta të fundit merren me menaxhimin e femrave ndërsa shqiptarët paguhen për të administruar territorin ku ushtrohet prostitucioni. Në një operacion ndaj kësaj vepre penale u arrestuan plot 43 persona.

SHKARKO APP