Raporti: Nga Ballkani, 875 luftëtarë me ISIS

 

Në qershor të vitit 2014, Grupi Soufan [TSG] pati publikuar një raport mbi luftëtarët e huaj në Siri, i cili kishte identifikuar rreth 12,000 luftëtarë të huaj nga 81 vende.

Sot 18 muaj më vonë, në raportin e fundit të këtij grupi thuhet se numri i luftëtarëve të huaj, të cilët i janë bashkuar grupit militant Shteti Islamik dhe grupeve tjera salafiste në Siri dhe Irak, sillet nga 27,000 deri në 31,000 dhe vijnë nga 86 vende të ndryshme botërore.

Prej tyre, 875 thuhet se vijnë nga shtetet e Ballkanit; rreth 800 prej tyre nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Në Kosovë, TSG vlerëson se janë aktualisht 232 luftëtarë, në Shqipëri 90, në Bosnjë e Hercegovinë 330 dhe në Maqedoni 146.

 “Në qershor të vitit 2014, ka pasur relativisht pak informacion për numrin e militantëve të cilët kanë udhëtuar nga Ballkani për në Siri, duke e bërë të vështirë përcaktimin e rritjes proporcionale të luftëtarëve nga ky rajon.Megjithatë, bazuar në të dhënat aktuale, duket se numri i luftëtarëve të huaj nga vendet e Ballkanit është dyfishuar, në mos trefishuar, që nga qershori i vitit 2014”, thuhet mes tjerash në raportin e Grupit Soufan.

Ndërsa nga vendet e Evropës Perëndimore thuhet se numri i lufëtarëve të huaj në Siri dhe Irak arrin në 5,000, nga ish- republikat sovjetike 4,700, nga Amerika veriore 280, nga Maghrebi 8,000, nga Lindja e Mesme 8,240 dhe nga Azia juglindore 900.

Grupi Soufan është një institut hulumtimesh, i cili ofron shërbime mbi strategjitë e sigurisë për qeveri të ndryshme në botë dhe organizata shumëkombëshe.

SHKARKO APP