Raporti nga KSHH: 157 të burgosurit e prekur nga Covid-19, janë diskriminuar gjatë trajtimit

Përhapja e Covid-19 në burgjet e vendit nuk u parandalua, ndonëse edhe takimet me familjarët janë bllokuar prej muajsh dhe paçka masave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve së bashku me Ministrinë e Drejtësisë. 157 të dënuar dolën pozitiv me Covid-19, por sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit ata të dënuar që u preken nga virusi vdekjeprurës apo ata që u dyshuan si të tillë, janë diskriminuar gjatë trajtimit shëndetësor.

KSHH del në këtë përfundim pas monitorimit në burgje ku u vërejtën mungesë e pajisjeve dhe medikamenteve për trajtimin e të burgosurve në dy spitalet atë të burgut dhe godinën numër 5 në Lezhë. ”Kur i kanë dërguar në spitalet civile ka një stepje dhe neglizhence sapo i kanë parë me pranga në duar. Këtë e thonë edhe të burgosurit dhe nga ana tjetër dhe vetë mjekët”,-thuhet në raport.

Po ashtu në raport, nënvizohet se edhe mjekët në burgje patën të njëjtin fat trajtimi të pabarabartë krahasuar me koleget e tyre në spitalet civile. Ndaj mjekët në burgje kanë kërkuar ngritje rroge pasi gjatë pandemisë kanë vërejtur fluks të madh.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, insiston se ka ndjekur rekomandimet e mjekëve epidemiologe për trajtim të të burgosurve të infektuar apo për izolimin e vatrave në mënyrë që të mos kishte përhapje të infeksionit nëpër qeli, ndërkohë që në fuqi vazhdojnë të jenë rekomandimet për tolerancë nga gjykatat ndaj të arrestuarve për krime të lehta.

SHKARKO APP