Raporti: Vendet që rrezikohen më shumë nga terrorizmi
Në raport publikohet një hartë, ku vendet me ngjyrë më të errët paraqiten si më të rrezikuara nga terrorizmi. Pesë vendet që i prijnë kësaj liste janë Iraku, Afganistani, Pakistani, Nigeria dhe Siria, në të cilat kanë humbur jetën dy të tretat e numrit të përgjithshëm të të vrarëve nga veprimet terroriste, transmeton lajmi.net.
Përveç këtyre pesë vendeve, rreziku nga sulmet terroriste kërcënon edhe Angolën, Bangladeshin, Burundin, Republikën Qendrore Afrikane, Bregun e Fildishtë, Etiopinë, Iranin, Izraelin, Malin, Meksikën, Birmaninë, Shri Lankën dhe Ugandën.
Analistët vlerësojnë se Kosovës i kanoset rreziku më i madh në rajon nga sulmet terroriste. Kosova është në vendin 54 nga 162 vendet e përfshira në këtë studim. Nga vendet fqinje, rreziku potencial kërcënon edhe Bullgarinë (60) dhe Maqedoninë (75). Serbia ndodhet në vendin 89, pas Bosnjës dhe Malit të Zi (86 dhe 87), ndërsa Kroacia, Shqipëria dhe Sllovenia nuk janë fare në 100 vendet më të rrezikuara. Shqipëria ndodhet në vendin e 107.