Rastet me Covid-19 po rriten në shumë shtete, mbi 18 milion të infektuar në botë
Numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në botë i ka tejkaluar 18 milionë, teksa disa shtete përballen me rritje të numrit të të infektuarve, pavarësisht pretendimeve se e kishin mposhtur virusin në fazat e para.
Covid-19 ka prekur mbi 4.66 milion njerëz në SHBA dhe u ka marrë jetën më shumë se 155 mijë amerikanëve. Për disa ditë radhazi, rastet e reja i tejkalojnë 60 mijë, ndërsa viktimat e 24 orëve të fundit janë mbi 1 mijë. Qendrat amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve parashikojnë se gjatë 3 javëve të ardhshme mund të vdesin edhe 20 mijë qytetarë të tjerë.
Situata nuk është më e mirë në indi ku mbi 50 mijë raste të reja u shënuan në vetëm 1 ditë. Në total janë infektuar deri më tani rreth 1.7 milion njerëz, mes të cilëve edhe zyrtarë të qeverisë. Situata po përshkallëzohet edhe në Afrikën e Jugut, ku numërohet mbi gjysmë milion të prekur, mbi 10 mijë prej të cilëve në 24 orët e fundit.
Virusi po përhapet me shpejtësi në shtetin australian të Viktorias, me qindra raste të reja të shënuara çdo ditë. Të gjitha dyqanet jo të domosdoshme, bashkë me disa fabrika do të mbyllen për disa javë, ndërsa lëvizja do të jetë e ndaluar nga ora 20 deri në 5 të mëngjesit. Sa i përket Ballkanit, Rumania mbetet vendi më i prekur e në 24 orët e fundit u regjistruan mbi 1 mijë raste të tjera dhe 34 vdekje. Rastet po rriten edhe në Greqi ku bilanci ditor foli për 110 infektimet e reja. Kjo është shifra më e lartë që prej muajit prill.