Rasti “Xhisiela”, Çipa: Media të tregohej më e kujdesshme
Denoncimi në polici, tërheqja e padisë, e më pas intervistat në media, përfshirë këtu edhe politikën e kanë kthyer rastin e Xhisiela Malokut në temë dite prej disa javësh tashmë. Këtë të enjte i ftuar në studion e “Top Talk” ka qenë Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë. A duhej transmetuar intervista me Xhisielën apo jo? Kjo ka qenë kryefjala në studion e “Top Talk”.
Aleksandër Çipa shprehet se nuk ka qenë kundër marrjes në intervistë të vajzës por gazetarët duhet të ishin treguar më të kujdesshëm e duhet të kishin pasur parasysh gjendjen e rënduar psikike të Xhisielës, e për këtë arsye më parë ata duhet të ishin konsultuar edhe me një psikolog.
”Mediat tek ne janë gjithmonë protagoniste të garës të informimit, por fatkeqësisht nuk fiton etika. Rasti i fundit tregoi se nuk e ruajtëm dot, e lënduam viktimën. Beteja jonë është e humbur, pasi në të gjitha momentet e raportimit, ajo fitohet kur intervistohet protagonisti, autori i ngjarjes dhe jo viktima e ngjarjes. S’jam i mendimit që nuk duhej intervistuar Xhisiela, por presioni publik që pati nga pozita dhe gjendja e rënduar psikologjike në të cilën ndodhej. Ndoshta e konsultuar ashtu siç e bëjnë mediat ndërkombëtare në raste të tilla çdo gazetar ka një konsulencë me psikologun. Gjendja psikike e saj ishte dukshme e rëndë. Në këtë sens moderatorët duhet të ishin më të kujdesshëm për gjendjen e saj psikologjike”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ka spekulimi mbi intervistën e dhënë, Çipa u përgjigj se kjo është një përgjigje retorike pasi në Shqipëri fatkeqësisht spekullimi është normal por sipas tij ka shumë dritëhije në raportimet e saj.
”Nuk kemi arsye që ta paragjykojmë cilësinë e raportimit të saj. Ka shumë dritëhije në rrëfimet e saj, pasi ka pasur disa variante të së vërtetës”, tha Çipa, teksa thekson se këtu kemi disa institucione që nuk kanë kryer detyrën dhe se tashmë çështja po përdoret politikisht.
KOHA JONË SONDAZH

