Reagimet pas refuzimit të Kosovës në UNESCO

Mospranimi i Kosovës në UNESCO ka ngjallë reagimin e të gjithë akterëve politikë në vend. Presidentja Atifete Jahjaga, përmes një deklarate, ka thënë se ky është një shans i humbur për avancimin e vizionit, vlerave dhe qëllimeve që i synon kjo agjenci e OKB-së dhe promovimin e këtyre vlerave në Kosovë.

“Sot u bë e qartë që ne, që shteti ynë, gëzon përkrahjen e palëkundur të botës së lirë dhe demokratike. Jam e inkurajuar me 92 shtete që e përkrahën Kosovën dhe vizionin tonë. Vota e tyre në përkrahje të Kosovës është ripërtëritje e premtimit që ia kemi dhënë vetes dhe miqve tanë. Kosova ka bërë përparim të pamohueshëm. Siç e kemi dëshmuar deri më tani, qytetarët e Kosovës nuk do të zmbrapsen nga insistimi që të jemi të barabartë me shtetet tjera në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta,” ka shkruar Jahjaga, raporton KTV.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se rezultati në UNESCO nuk bën të na dekurajojë.  “Ishte një betejë e rëndë diplomatike në Paris. Institucionet tona bënë krejt atë që ishte në mundësitë e tyre që Kosova të bëhet pjesë e UNESCO-s. Kosova u dëshmua se ka miq të mëdhenj gjithandej botës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokracitë e fuqishme të Evropës Perëndimore,” është shprehur Veseli.

E nga Lituania, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur keqardhjen e thellë për mospranimin e Kosovës në UNESCO.

“Kosova do të vazhdojë të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës, duke çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Zëvendësi i tij, Hashim Thaçi ka thënë se kanë bërë maksimumin për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

“Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç'është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë. Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë. Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës” ka shkruar Thaçi.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka deklaruar se vota në UNESCO është zhgënjyese.

Ndërkaq, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka deklaruar se refuzimi i Kosovës në UNESCO është fyerje për ambiciet e saj. Nga partitë opozitare në vend, ky dështim i Kosovës po shihet si dështim i diplomacisë kosovare dhe lajm i keq për vendin. “Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar. Sa më të urtë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, aq më e egër ajo ndaj nesh. Prandaj me të nuk mund të merremi vesh e të dialogojmë pa ndryshuar thellësisht njëherë ajo. E, aq më pak t’ia plotësojmë kërkesat në Kosovë,” ka qenë reagimi i liderit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Edhe AAK-ja ka shprehur keqardhje për mospranimin e Kosovës në UNESCO. “Për fatin e keq koncesionet qe i ka bërë Kosova në raport me vendet fqinje duke përfshirë këtu edhe dy marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk ishin të mjaftueshme që Serbia të mos e zhvillojë një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Sidoqoftë, kjo në asnjë situatë nuk bën të na dekurajojë nga përkushtimi dhe vendosmëria jonë që anëtarësimin në UNESCO, OKB dhe organizata të tjera ta synojmë me çdo kusht. E drejta është në anën e Kosovës!” përfundon reagimi i AAK-së.

Kryetari i Nismës Për Kosovën, Fatmir Limaj e ka quajtur dështimin e pranimit të Kosovës në UNESCO, si dështimin më të madh të diplomacisë kosovare. Fajin kryesor Limaj thotë se e ka Ministria e Jashtme, e cila sipas tij, dështoi që t’i bindë vendet që e kanë njohur Kosovën për të votuar pro.

Reagime ka pasur edhe nga ana e Serbisë.

“I uroj qytetarët e Serbisë, pasi kemi pasur besim që do ta mbrojmë atë që tanët e kanë ruajtur me shekuj. Kjo është fitore e drejtësisë dhe fitore morale në kushte gati të pamundshme, kur shpeshherë ajo që është e drejtë nuk mund të llogarisë në mbështetjen e shumicës”, ka thënë presidenti serb, Tomislav Nikoliq.

Ndërsa, Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, pas refuzimit të pranimit të Kosovës në UNESCO, ka thënë se nuk është koha për emocione, por për vendosjen e dialogut.

“Nëse me pyesni se kush ka fituar, do të jap përgjigje të qartë – ka fituar mundësia për dialog dhe ndërtimin e besimit e jo presionet politike”, ka shkruar Janjiq në Twitter.

SHKARKO APP