Reagimi i ashpër matanë kufirit: Së shpejti taksë edhe në autostradën e Kosovës
Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës kanë thënë se shumë shpejt pritet të vendoset taksa për shfrytëzimin e autostradës së Kosovës. Për shfrytëzimin e autostradës në Shqipëri nga kjo javë qytetarët duhet të paguajnë 5 euro për një drejtim, shumë kjo e cila po konsiderohet si e lartë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Pas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë që “Rruga e Kombit” tani e tutje të shfrytëzohet me pagesë, 5 euro për një drejtim, si dhe 5 euro në drejtim tjetër, një gjë të tillë po e paralajmërojnë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Sipas këtyre të fundit, shumë shpejt pritet të vendoset taksa për shfrytëzimin e autostradës së Kosovës.
Por, këta të fundit po vlerësojnë se taksa e vendosur për shfrytëzim të autostradës në Shqipëri është tejet e lartë. “Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson që taksa e vendosur për ‘Rrugën e Kombit’ është e lartë dhe mund të ndikojë në lëvizjen e qytetarëve në të dyja vendet”, thuhet në përgjigjet e kësaj zyre dhënë gazetës “Zëri”.
Zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës vendimin e Qeverisë shqiptare e kanë cilësuar të lartë dhe të papërshtatshëm për gjendjen ekonomike të të dyja vendeve.
KOHA JONË SONDAZH

