Reagojnë kontrollorët ajrorë: Kjo nuk është grevë. Qeveria s’ka hapësirë ligjore për të na çuar për ndjekje penale

Kontrollorët e “Albcontrol” kanë reaguar përmes avokatit të tyre për pezullimin e fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, pas ndërprerjes së punës nga ana e tyre.

Avokati Rezart Kthupi tha se kontrollorët nuk e kanë braktisur vendin e punës, por nuk ushtrojnë detyrën. Sipas tij, ulje e pagës së kontrollorëve nuk është arsyeja e vetme dhe kryesore e ndërprerjes së punës, pasi kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale.

“E para, e kemi thënë që në fillim që kjo nuk është një grevë. Është një detyrim ligjor. Në momentin që kontrollorët ndihen në kushtet e paaftësisë për të ushtruar detyrën, ky është një detyrim ligjor që ligji shqiptar e njeh. Menjëherë nisën procedurat e shkarkimit nga puna. Kjo ka prodhuar stresin e gjithë kontrollorëve të tjerë, që mund të ndodhë të hiqen edhe ata nga puna.

Nuk është vetëm cështja e uljes së pagës, është vetëm një nga arsyet, kryesore është ndryshimi i procedurave operacionale, që kanë të bëjnë me sigurinë që ofron ky shërbim. Nuk jemi në kushtet e braktisjes së punës, kontrollorët vijojnë të shkojnë në vendin e punës, por nuk ushtrojnë detyrën. Braktisja e vendit të punës është mos shkuarja në punë pa asnjë arsye. Kjo nuk është një cështje politike, nuk kemi asnjë lloj interesi të përfshihemi në politikë. Ka dy kërkesa shumë të thjeshta nga kontrollorët, që nuk janë të komplikuara dhe të vështira për shoqërinë.

Ne gjykojmë që nuk ka hapësirë ligjore për të cuar kontrollorët për ndjekje penale. Nuk ka asnjë ligj të shkelur. Kontrollori ka detyrimin të saktësojë që nuk është i aftë për punë, e ka detyrim ligjor. Nëse njëra palë e quan këtë shkelje ligjore, ne nuk e zgjidhim dot”, tha avokati.

 

Si jeni ndjerë kur jeni komentuar si sabotatorë të shtetit?
Thjesht na është shtuar stresi. Njerëzit që janë pas meje ndjehen edhe më të stresuar. Ne kërkojmë respektimin e kontratës së punës, me parametrat dhe pagën që ka ajo. Largimi ose ndryshimi i orareve të punës sjell paaftësi ose vështirësi të kontrollorëve në ushtrimin e detyrës.

Cfarë do të ndodhë nesër pas orës 10:00?
Ne jemi ende në pritje të zgjidhjes së situatës. Pika e parë që u diskutua në takim me ministren ishte se ata që janë larguar nga puna, duhet të rikthehen. Këta njerëz, që u është filluar procedura e largimit, nuk rezultojnë të jenë në turne.

SHKARKO APP