Reagon Sandër Lleshaj: Po. Tek policët qytetarët duhet të shohin Ministrin e Brendshëm

Pasi u dhunuan artstistë, qytetarë, gazetarë dhe politikanë, ka ardhur një reagim i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj i cili merr përsipër çdo dhunë të ushtruar nga policia në revoltën që shkaktoi shembja e godinës së Teatrit Kombëtar.

Reagimi i Lleshajt

Oficerët e policisë mbajnë në uniformë simbolet e Republikës, kanë  atributet e zbatuesit të ligjit, kanë përgjegjësi dhe mbrojtje të  veçantë ligjore. Për këtë arsye, tek ata duhet ta shohim Ministrin,  madje edhe më shumë duhet të shohim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë  së Shtetit, drejtuesit e tjerë të saj. Edhe shoqëria jonë mund të shohë  tek polici diçka nga vetja. A nuk janë ata, në fund të fundit, një  pjesë e saj? A nuk edukohen ata në familjet tona, në shkollat tona, në  forumet tona publike?

Unë për vete e kam pranuar këtë sfidë të identifikimit edhe me policët e Shqipërisë. Dhe nuk jam zhgënjyer prej saj.

Përgjatë një viti tektonikash politike dhe gjeologjike, por edhe gjatë  muajve të një flame që gjunjëzoi planetin, ata kanë qëndruar në këmbë,  në shërbim. Të heshtur, profesionistë, patriotë, trima, humanë, plot  privacione dhe probleme, modestisht të trajtuar ata kanë mbajtur barrë  të mëdha për të gjithë ne.

Kur të gjithë sistemoheshin në këndet  e shtëpive të tyre, për të ndjekur nga TV “ndeshjen” e radhës të  politikës së rrugës, ata rreshtoheshin përballë batareve të molotovëve dhe kapsollave, kur të gjithë interesoheshin për më të dashurit e tyre  gjatë tërmetit, ata kujdeseshin për të tjerët, kur të gjithë mbylleshin  në shtëpi me familjen për t’iu shmangur valës së pandemisë, ata ishin në  zemër të vorbullës së saj.

Ata e lënë përherë familjen, kur të tjerët rendin drejt familjeve të tyre në ditë të vështira.

Pavarësisht kushteve, ata kanë arritur të sigurojnë parametra të  sigurisë dhe rendit publik, që janë më të mirat në historinë e vendit  dhe shumë pranë mesatareve europiane; kanë arritur të fshijnë njolla të  mëdha nga portreti i Shqipërisë; kanë kontribuar thelbësisht që vendi të  bëjë hapa të rëndësishëm drejt Europës.

Dhe në fakt janë po ata që kanë qenë edhe dje edhe pardje.
Megjithatë diçka ka ndryshuar. Rrënjësisht. Dhe Policia e Shtetit ka funksionuar. Plotësisht.

Dhe një ndër arsyet themelore për këtë është fakti se ajo nuk vepron me urdhra, por vetëm me ligje.

Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra, sipas  modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre të mallkuara nga  totalitarizmi. Në fakt, policia sot nuk merr urdhra për veprimet e saj  operacionale. Jo. Ministri i Brendshëm nuk jep urdhra për veprimet  operacionale.

“Urdhri” i saj i vetëm është ligji, përballë të  cilit ajo duhet të jetë thjesht e verbër, për të mos bërë interpretime  të tipit: ky është me rëndësi, ky është përtej ligjit, ky është mbi  ligjin, ky është vetë ligji, ky është antiligji. Atë ditë që ne do t’i  kërkojmë policisë që të bëjë vetë interpretime të ligjit, atë ditë vendi  nuk ka më ligj.

Nga ana e tij, Ministri kujdeset që, së pari të  japë me shembullin e tij një model të mirë të ushtrimit të përgjegjësisë  publike, së dyti që policia të udhëhiqet drejt një kursi transformimi  dhe modernizmi dhe, së treti, që ajo të mbikqyret gjatë plotësimit të  misionit të saj ligjor në përputhje me interesin publik, ligjet dhe  Kushtetutën.

Ka pasur këto ditë disa “skifterë” të shkretë, që e  kanë kërkuar tek policia shënjestrën e tyre, duke harruar se ajo nuk  vendos, as për ndërtimin dhe as për shkatërrimin e ndërtesave. Ka pasur  disa syresh që nuk e kanë kursyer as dorën frikacake për të goditur ndaj  vajzave dhe djemve të policisë.

Dhe pasi hedhin gurin, pasi  mbarojnë me kapitullin e thirrjeve për revolucion e gjak, kalojnë  paturpësisht tek ai i të drejtave të njeriut. Bërtasin si shpirtra të  këqij për të drejtat e veta edhe përballë policëve, a thua se këta të  fundit nuk janë njerëz, nuk janë qytetarë dhe nuk kanë të drejta.

Bërtasin pikërisht ata që nuk kanë pasur asnjë grimë turp e asnjë grimë  humanizëm, kur kanë përshëndetur derdhjen e gjakut nga armët e shtetit  në 2011. Pikërisht ata skutha, të pabesë e të pa Zot.

Njëri prej  këtyre shprehej edhe kundër Ambasadës së SHBA, kinse ajo nuk paska  mbajtur qëndrimin e duhur për shembjen e teatrit dhe ankohej se Amerika  interesohet për vijimësinë e Shtetit Shqiptar!!!

Po! Fatkeqësisht po! Shqetësimi i tij ishte vijueshmëria e Shtetit Shqiptar.

Në të vërtetë, shqiptarët i janë përjetësisht mirënjohës Amerikës,  pikërisht për këtë qëndrim “të ngurtë” dhe që nuk ndryshon kurrë, në  mbështetje të vijimësisë së Shtetit Shqiptar, tashmë pjesë edhe e  NATO-s.

Përgjatë tri dekadave të fundit ka pasur shumë tentativa  për ta ndërprerë këtë vijimësi shtetërore, për t’i rrëzuar institucionet  në emër të demokracisë. Kjo lojë tinëzare, e veshur me një mantel të  rremë sloganesh “demokratike”, për fat të keq, ka dhënë edhe rezultate  katastrofike.

Vijueshmëria e Shtetit Shqiptar, që në terma  konkrete është vijueshmëria e institucioneve të tij, është interesi  kombëtar numër një i shqiptarëve. Kontributi maksimal e pa kushte për  këtë është detyra e çdo shqiptari, polici, ministri, kryeministri a  presidenti.

Policia e Shtetit e ka kryer këtë detyrë shumë mirë  gjatë kësaj periudhe. Ajo nuk është tërhequr, dhe as nuk është stepur  përballë tentativave të rrezikshme kundër institucioneve të Shqipërisë.  Dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë edhe më mirë, ndonëse ka po ata  policë, që dikur edhe nuk kanë mundur ta bëjnë siç duhet detyrën e tyre.

Ka jo pak vetë që pyesin se si është e mundur kjo? Si është e  mundur që të njëjtat struktura, me të njëjtit njerëz, që dikur  shpërbeheshin, sapo të fillonin goditjet e para nga grupet e  keqpërdorura, sot funksionojnë dhe bëjnë detyrën, pa tejkaluar  kompetencat ligjore dhe pa derdhur gjak shqiptari?

Është e thjeshtë përgjigja.

Sot ata munden pikërisht sepse urdhrat nuk i marrin nga partia nëpërmjet ministrit, por nga Shqipëria nëpërmjet ligjit.

SHKARKO APP