Redi Saraçi: Të rinjtë e Shijakut do e kenë derën e bashkisë të hapur

 

Kandidati i “Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet” për Bashkinë e Shijakut, Redi Saraçi zhvilloi një takim me të rinjtë. Saraçi premtoi se do të qëndrojë afër problemeve të tyre, duke i inkurajuar ata të marrin iniciativa, pasi do të gjejnë një derë të hapur si pikë mbështetje në mënyrë që idetë dhe projektet e tyre të bëhen realitet.

Saraçi premtoi të ngrejë pranë bashkisë Shijak nën drejtimin e tij një strukturë të dedikuar posaçërisht për orientimin dhe përkrahjen e të rinjve në realizimin e sipërmarrjeve të reja të mundshme.  “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet konsideron si jetike përfshirjen e të rinjve në jetën ekonomike si dhe ka ndërmend të marri të gjitha masat për rivitalizimin dhe dhënies fund të apatisë që ka pushtuar rininë e Shijakut. Për këtë qëllim, ne në bashki do të ngremë një strukturë ad-hoc për rininë dhe problematikat përkatëse. Në këtë kuadër, Bashkia Shijak do të bëhet gjenerator ekonomik duke marrë një hua bankare rreth 400 mijë Euro për të financuar idetë dhe projektet rinore të biznesit. Kjo kredi do të merret nga Bashkia, e cila do financojë më pas projektet e investimit të të rinjve. Pra përpjekjet e gjykuara interesante, por që nuk kanë mundësi financimi do të kenë mundësi të vihen në jetë edhe pa pasur kolateral, pasi këtë gjë do e mundësojë bashkia Shijak”, tha Saraçi.

Ndër të tjera kandidati i Partisë Demokratike premtoi përfundimin e Pallatit të Sportit, ku projekti është gati, por punimet kanë ndalur që në vitin 2005.

“Në vitin 2005 është investuar pranë stadiumit për një palestër, që do të jetë praktikisht një Pallat Sporti me një infrastrukturë të lehtë. Projekti është i gatshëm dhe ne presim vetëm thjesht ta realizojmë atë. Dhe ajo do të shndërrohet në një qendër graviteti për aktivitet sportive dhe kulturore te munguara prej vitesh ne qytetin e Shijakut”, tha Redi Saraçi

SHKARKO APP