Referendumi, Kërpaçi: Tregon për vullnetin e qytetarëve
Ish-deputetja e LSI, Floida Kërpaçi e ftuar në Ora News ka folur mbi propozimin e Presidentit të Republikës për një referendum popullor. Për Kërpaçin, referendumi është shprehje direkte e demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve.
Presidenti ka bërë një thirrje për një referendum, për të cilin duhen 50 mijë firma, a ka filluar LSI të angazhohet në këtë referendum?
Të gjithë qytetarët shqiptarë e ndjejnë sesa në krizë të thellë kushtetuese është futur vendi dhe sesa është rrezikuar demokracia në ditët e sotme. Bie dakord me Presidentin për referendumin sepse referendumi është institucioni më i rëndësishëm i demokracisë direkt dhe ka ardhur koha për t’i thënë boll më se çfarë duan 2 individë. Në një moment ku qytetarët shqiptar kanë një shqetësim apo një problematikë dhe që duan të ngrenë zërin e tyre, besoj që kjo është mënyra më e mirë dhe është momenti më i mirë për të bërë këtë gjë.
Ditën e sotme është deklaruar dhe një referendum nga Partia Socialiste për të penguar Presidentin.
Kaq shumë frikë paska Partia Socialiste nga vota e popullit? Dhe në fakt këtë e kuptuam në zgjedhjet e 2017-ës ku bënë çdo gjë duke marrë të gjithë grupet dhe bandat e strukturuara, u munduan të organizonin ato zgjedhjet që nuk ishin të lira dhe të ndershme dhe prandaj ne si opozitë kemi qenë të angazhuar dhe në protesta kanë qenë mijëra qytetarë për një arsye të vetme, ka ardhur momenti në Shqipëri që Shqipëria të realizojë për qytetarët zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe Partia Socialiste tregon se i trembet votës së popullit dhe asaj që kërkon populli.
Partia Socialiste thotë nga një anë se Presidenti kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese.
Partia Socialiste, si e përmenda më parë, është një proces i tërë dhe ne duhet ta thjeshtojmë që qytetarët shqiptar ta kuptojnë. Në 2017-ën u bënë zgjedhjet dhe ne nuk kemi reshtur së thëni se janë zgjedhje të blera dhe ku grupet kriminale u bënë bashkë me rilindjen dhe ndihmuan rilindjen për të ardhur në qeveri me një rezultat që ajo ta kontrollonte dhe të kishte një numër të lartë në Parlament. Në këtë moment pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ janë një. Pra ka humbur nocioni i Republikës Parlamentare që ne jemi dhe shikojmë se çfarë po ndodh me pushtetin gjyqësor, pra 2 të parat po kontrollohen nga rilindja. Nga ana tjetër po bëjnë të gjithë përpjekjet për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe këtë e thotë ligji dhe e thotë Kushtetuta dhe ftoj ta lexojmë Kushtetutën që nuk mund të bëhen 2 emërime të menjëhershme, kjo lexohet sepse është e shkruar dhe çdo qytetar ta lexojë dhe ta kuptojë se kush ka të drejtë.
Palët e lexojnë ndryshe prandaj duhet Gjykata Kushtetuese.
Prandaj të treja këto pushtete duhet të kontrollonin njëra tjetër që të mos kapej shteti që sot janë të kapura nga një njëri, i cili ka interesin për t’i kapur të gjitha këto sepse duke vonuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ai vazhdon të jetë i lirë për të bërë tendera siç bëri me Unazën e Re, për të bërë ligje siç bëri me Teatrin Kombëtar, për dividentin dhe për të bërë çdo llojë aferë tjetër korruptive dhe çdo gjë për t’i vendosur në shërbim të atyre grupimeve kriminale dhe në shërbim të atyre bandave, të cilat e sollën në pushtet sepse marrëdhënia e tij në qeverisje nuk është me qytetarët, marrëdhënia e tij dhe e gjithë bashkëpunimit të tij është me këtë grupim njerëzish, pa të cilët ai nuk bën dot dhe është i rrethuar.