Referendumi në Ukrainë, ushtarët rusë shkojnë derë më derë për të marrë votat

Ukrainasit kanë raportuar se ushtarë të armatosur shkojnë derë më derë në pjesët e pushtuara të vendit për të mbledhur vota për referendumin e vetëshpallur nga pushtuesit për bashkimin me Rusinë.

“Duhet të përgjigjeni verbalisht dhe ushtari e shënon përgjigjen në fletë dhe e mban atë”, tha një grua në Enerhodar për BBC.

Në Kherson jugor, gardistët rusë qëndruan me një kuti votimi në mes të qytetit për të mbledhur votat e njerëzve.

Media shtetërore ruse thotë se votimi derë më derë është për siguri, raporton BBC.

“Votimi personalisht do të zhvillohet ekskluzivisht më 27 shtator”, raportoi Tass. “Në ditët e tjera votimi do të organizohet në komunitete dhe në mënyrë derë më derë.

Një grua në Melitopol tha për BBC se dy “bashkëpunëtorë” vendas mbërritën me dy ushtarë rusë në banesën e prindërve të saj, për t’u dhënë atyre një fletë votimi për ta nënshkruar.

“Babai im tha ‘jo’ për t’iu bashkuar Rusisë”, tha gruaja. “Mamaja ime qëndroi afër dhe pyeti se çfarë do të ndodhte nëse thoshin “jo”. Ata thanë: “Asgjë”. “Mamaja tani është e shqetësuar se rusët do t’i persekutojnë.” Gruaja tha gjithashtu se kishte një fletë votimi për të gjithë familjen, dhe jo për person.

Megjithëse provat janë anekdotike, prania e njerëzve të armatosur që kryejnë votimin bie ndesh me këmbënguljen e Moskës se ky është një proces i lirë ose i drejtë.

Ekspertët thonë se referendumet, që do të zhvillohen gjatë pesë ditëve, do t’i lejojnë Rusisë të pretendojë, në mënyrë të paligjshme katër rajone të okupuara ose pjesërisht të okupuara të Ukrainës si të tyret. Me fjalë të tjera, një votim i rremë për aneksimin, shtatë muaj pas pushtimit të Rusisë.

SHKARKO APP