Reforma në drejtësi, ekspertët kryqëzojnë Gjykatën e Lartë

 

Gjykata e Lartë pritet të vihet së shpejti në qendër të një reforme të thellë që do të bazohet në sugjerimet që percjell analiza e sistemit të drejtësisë të hartuar nga grupi i posaçëm i ekspertëve vendas dhe ndërkombetarë.  Bashkimi Europian ka rekomanduar transformimin e Gjykatës së Lartë në një gjykatë karriere përmes vendosjes së kritereve transparente për emërimin gjyqtarëve me eksperiencë.

Raporti vëren se mospërcaktimi i kritereve të qarta në kushtetutë për t’u zgjedhur anëtar i kësaj gjykate mund të shihet si mangësi, pasi duket sikur i jepet ligjvënësit diskrecion tërësor në përcaktimin e këtyre kritereve. Në analizë evidentohet se në këtë gjykatë ka një mbingarkesë të paarsyeshme pasi aktualisht mund të ankimohet çdo vendim dhe sugjerohet rishikim dhe rikonceptim të juridiksionit fillestar të Gjykatës së Lartë. Raporti nënvizon se Komisioni i Venecias ka mbështetur mendimin e transformimit të Gjykatës së Lartë në një Gjykatë të mirëfilltë Kasacioni e cila ka juridiksion të kufizuar vetëm për çështjet e ligjit apo ato të një rëndësie themelore.

Kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të këtij institucioni thuhet në raport janë shoqëruar në vazhdimësi me politizime të proçesit vonesa në plotësimin e vendeve vakante dhe emërime të cilat janë kontestuar vazhdimisht nga politika grupet e interesit dhe opinion i gjerë publik si përsa i takon profesionalizmit  ashtu edhe besimit në paanshmërinë dhe integritetin e këtyre gjyqtarëve.

Dokumenti analitik i eskpertëve të drejtësisë nënvizon se përbërja e gjykatës së lartë vijon të ketë një shumice të dukshme nga gjyqtarë që nuk vijnë nga karriera gjyqësore e spikatur profesionale. Një nga çështjet e konsideruara problematike është mospërfshirja e anëtarëve të gjykatës së lart nën juridiksionin e KLD përsa i përket çështjeve të proçesit gjyqësor. Edhe Gjykata e Lartë do të përfshihet pas evidentimit të këtyre problemeve nga vala e ndryshimeve rrënjësore, të cilat fillojnë dhe mbarojnë me ligjin.

Nga një vështrim i përgjithshëm mbi detajet e raportit të hartuar nga ekspertët që po asistojnë reformën në drejtësi, vihet re se shqetësimi kryesor mbetet cilësia e ligjeve që kanë lënë hapësirë për ndikime politike dhe efiçensë të ulët.

SHKARKO APP