Reforma në Drejtësi, Komisioni i Venecias do të flasë pas 7 javësh

Marco Leidekker kreu zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë në një intervistë për Top-Channel thotë se reforma në drejtësi, ka hyrë në një fazë tjetër, atë të marrjes së një opinioni nga Komisioni Venecias.

“Ajo që pritet të ndodhë sapo Komisioni i Venecias të marrë propozimet e komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, është caktimi i disa ekspertëve ligjorë të nivelit të lartë dhe me shumë përvojë në nivel ndërkombëtar, të cilët do të vlerësojnë propozimin përkundrejt ligjeve, standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira. Ata do të draftojnë një analizë ligjore që në gjuhën e komisionit quhet opinion. Më pas kjo analizë do t’i dërgohet komisionit të posaçëm dhe Kuvendit për miratim. Pra ajo që do të marrë Shqipëria nga Komisioni i Venecias është këshillim ligjor bazuar mbi propozimet e dërguara. Më lejoni të theksoj se Komisioni i Venecias që përbëhet nga ekspertë me autoritet, nuk është arbitër. Nuk është një organizëm që do të përcaktojë kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Prandaj ata nuk do zëvendësojnë aspak proceset politike vendase. Në fund është gjithmone vendimi i Shqipërisë dhe i politikanëve shqiptarë se çfarë është e përshtatshme apo jo për vendin”.

Por sa kohë do t'i duhet Komisionit të Venecias për të formuluar opionionin mbi draftin e dërguar nga Shqipëria?

“Kohëzgjatja varet nga volumi i propozimeve që do të vijnë tek Komisioni I Venecias. Por në një vlerësim tonin paraprak do të ishte e mundur të kishim një opinion pas 6-7 javësh nga mbërritja e draftit”, pohon ai.

Për rastet kur shqiptarët i drejtohen gjykatës së Strasburgut në lidhje me problemet e pronave kreu zyrës së Këshillit të Europës thotë se qeveria shqiptare po mundohet të gjejë një zgjidhje.

“Në një pjesë të madhe këto vendime janë marrë në fillim të viteve 90 apo edhe në fillim të viteve 2000 dhe ata nuk i kanë marrë asnjëherë përfitimet që ju ka caktuar gjykata. Numri i këtyre rasteve është shumë i madh dhe shteti shqiptar është plotësisht e vetëdijshme për përmasat e këtij problemi. Për këtë arsye qeveria shqiptare po përpiqet të gjejë një zgjidhje. Po përpiqet të vërë në lëvizje një mekanizëm i cili duhet ta zgjidhë këtë cështje. Ne kemi bërë një analizë të parë të propozimit që na ka ardhur nga qeveria dhe kemi ende disa pyetje në lidhje me të”.

Marco Leidekker  për këtë çështje thotë se “Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, që është organizmi që monitoron zbatimin e vendimeve të gjykatës së Strasburgut, do të dalë me një vendim në dhjetor të këtij viti”.

SHKARKO APP