Reforma në drejtësi, mazhoranca ngre komision të posaçëm parlamentar
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj sqaroi se komisioni, që vjen si propozim i një grupi prej 7 deputetës, dhe që ka marrë mbështetjen edhe të krerëve të grupeve kuvendorë të mazhorancës do të veprojë për një periudhë 6 mujore më të drejtë shtyrjeje sipas rregullores së Kuvendit.
Përgjatë kësaj kohe komisioni që parashikon pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha grupeve kuvendore do të analizojë situatën aktuale në sistemin e drejtësisë dhe në përfundim të punës do të dalë me një paketë ndryshimesh të kuadrit normative në fushën e Drejtësisë.
Ndërsa për të mbyllur që në fillim cdo debat apo akuzë të opozitës dhe duke vlerësuar hapat e ndërmarrë deri më tani nga ana e aktorëve institucionalë vendas dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, konferenca e kryetarëve argumenton vendimin me arsyetimin se:
“Në këto tryeza gjithëpërfshirëse, të gjithë aktorët e lartpërmendur kanë pranuar se Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni përfaqësues i vullnetit qytetar shqiptar, ku të gjitha forcat politike kanë mundësi dhe japin kontributin e tyre në procesin ligjvënës, është hapësira më e përshtatshme kushtetuese dhe institucionale për të garantuar një reformë të gjithëpranuar për sistemin e drejtësisë, përmes një procesi plotësisht transparent, gjithëpërfshirës dhe profesional.”
Por në kushtet e bojkotit, maxhoranca ka tentuar të joshë opozitën që të bëhet pjesë e komisionit duke dhënë garanci se për përmbushjen e standardeve më të mira ndërkombëtare në të gjitha fazat e punës, komisioni I posacëm parlamentar do të ketë asistencën e ekspertëve të Komisionit të Venecias, misionit Euralius IV, OPDAT, prezencës së OSBE e misioneve të asistencës për çështjet e drejtësisë të përfaqësive diplomatike në Tiranë.