Reforma në drejtësi, nisin konsultimet publike

Komisioni i posaçëm do të nisë nga sot konsultimet publike për komponentët kryesorë të reformës në drejtësi. Takimi i parë zhvillohet të martën në Shkodër, në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, nga ku pritet të prezantohen kapitujt kryesorë të Dokumentit Analitik, si dhe të merren mendime dhe opinione konkrete nga të interesuarit, për t’i pasqyruar më pas ato në paketën e propozimeve për këtë reformë të rëndësishme.

Një javë më parë, në prezencën e mbi 200 të ftuarve, u bë prezantimi i dokumentit “Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri-2015″, i hartuar nga komisioni i posaçëm parlamentar dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë.

Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë është një përshkrim tërësor i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe i rezultateve që ka dhënë sistemi që nga viti 1998 (vit kur u hodhën themelet e sistemit në Kushtetutë).

Ky përshkrim përfshin të gjithë komponentët, duke filluar që nga organizimi i gjykatave dhe i prokurorisë, detyrat e tyre, mënyra sesi “qeveriset” gjyqësori dhe prokuroria, statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mënyra e administrimit të shërbimeve gjyqësore dhe prokuroriale, financimi i sistemit, shërbimet e lira (avokati, noteri etj), si dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave.

Dokumenti Analitik u hartua nga një grup ekspertësh, vendas dhe të huaj, të angazhuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ekspertë të atashuar nga institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë dhe një Sekretariat i Posaçëm Teknik.

E konsideruar si një nga reformat më të rëndësishme që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, ajo ka marrë vëmendjen e lartë të faktorit ndërkombëtar, i cili ka shprehur mbështetjen e plotë për realizimin e saj, përmes ofrimit të asistencës teknike.

SHKARKO APP