Reforma në Drejtësi rrugë pa kthim, na çon drejt Integrimit Europian
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi sot se “reforma në drejtësi është rrugë pa kthim se përkon me rrugën që na çon drejt integrimit europian”. Në fjalën e saj në Kuvend, ku po diskutohet progres raporti i Komisionit Europian, për Shqipërinë, Manastirliu tha se “lajmi i djeshëm i rekomandimit pozitiv të KE për hapjen e negociatave është një lajm i gëzueshëm dhe shpresëdhënës për qytetarët”. Për ne si qeveri që thënien e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ nuk e kemi banderolë të cilës i heqim pluhurin një herë në tre dekada, por busullën që na orienton në punën tonë të përditshme”.
“Shqipëria është ndër rastet e rralla, në mos unike ku më shumë se 93% e qytetarëve janë proeuropianë të palëkundur dhe Europën e shikojnë si destinacionin e vetëm historik që Shqipëria meriton”, theksoi Manastirliu. Sipas saj, ky rekomandim për të dytin vit radhazi ishte vlerësim, i përpjekjeve që të gjithë bashkë kemi bërë pa u ndalur për të nderuar dhe respektuar deri në fund pjesën tonë të marrëveshjes me partnerët tanë europianë.
“Ata partnerë që dje në çdo deklaratë zyrtare pas shpalljes së rekomandimit janë dakordësuar dhe shprehur në unison se Shqipëria e meriton, ka bërë punën e saj, ka respektuar e zbatuar atë që i është kërkuar”, tha Manastirliu. “Kryetari i opozitës ende pa zënë vend lajmi i rekomandimit pozitiv nxitoi të eklipsojë duke hamendësuar siç bën gjithmonë ai kur është në hall për vendimin që do të marr Këshilli Europian”, tha ajo.
“Në fakt po të ishte ky kriter, kryetari i opozitës së rrugës dhe sjellja e tij gjatë këtyre muajve shqiptarët as nuk do ta kishin parë rekomandimin. Këtu bëhet më i qartë e komplet mali i përpjekjeve që është dashur të bëhen, jo vetëm për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me Komisionin,por mbi të gjitha për të kompensuar lumenjtë e bojës së zezë që janë derdhur nga burimet e kësaj opozite, duke filluar nga kjo sallë këtu e deri atje jashtë në rrugë e deri në kancelaritë europiane me synimin dashakeq për nxitjen e këtij vendi”-, theksoi Manastirliu. Ministrja Manastirliu tha se “qytetarët e dinë se ishte po ajo reformë në drejtësi faktori numër një që ka nxjerrë opozitën në rrugë”.
KOHA JONË SONDAZH

