Reforma zgjedhore, Luzi: Rrezikohet të mos bëhen ndryshime
Ish-kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi thotë se situata e tanishme për Kodin Zgjedhor dhe për reformën elektorale është një situatë e përsëritur. Në një intervistë për gazetën ”Shekulli”, Luzi thekson se kjo situatë do të sjellë pasoja negative për KQZ-në, sepse “nuk mund t’i kërkosh cilësi këtij komisioni kur t’i në mes të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve ndryshon kodin zgjedhor”.
”Nuk ka afat më, sepse ka filluar puna dhe nuk mund të futesh në një proces për të bërë ndryshime. Këta thonë, se është gjashtë muaj përpara. Kjo nuk është e vërtetë. Me dekretin e presidentit duhet të ishte gjithçka gati. Në këto kushte rrezikojmë që të mos bëhen ndryshime në kodin zgjedhor. KQZ duhet të jetë e depolitizuar, por sot nuk ka ndryshuar asgjë, mbetet e njëjta si në vitin 2012-të. Partitë politike i qëndrojnë besnike këtyre ndryshimeve të cilat kanë rënë dakord njëherë e mirë”,-shprehet ish-kryetarja e këtij komisioni.
Sipas Luzit, PS-PD kanë rënë dakord për të mbajtur kodin e vjetër zgjedhor. “Gjithmonë heshtja presupozon dakordësi. Nuk shohim as nuk kam dëgjuar për ndonjë ndryshim. Ata e kanë bërë në mënyrë të tillë kodin zgjedhor, që ata vetë duhet të vendosin për të bërë ndryshime. OSBE/ODHIR iu ka bërë thirrje gjithmonë partive politike për reflektuar ndryshimet e propozuara në kodin zgjedhor. Ata kanë ofruar edhe mbështetje financiare për t’i mundësuar këto udhëzime në praktike”, shprehet ajo.
E pyetur nëse mungesa e implementimit të teknologjive të reja në votim lidhet me mungesën e fondeve nga qeveria, Luzi përgjigjet: “Fare. Kjo është një gjë që duhet përcaktuar me ligj dhe për të cilën qeveria është e detyruar ta zbatojë. Ndërsa partitë politike kanë dyshime te ky proces. Nëse partitë politike do të ishin të qarta për procesin, nuk do pyesnin nëse ka qeveria fonde apo jo.”
KOHA JONË SONDAZH

