Reforma Zgjedhore/ Miratohet plani i punës, kur pritet të miratohet projektligji
Grupi i Dialogut për Reformën Zgjedhore ka miratuar planin e punës për muajt në vijim.
Mësohet se plani i punës është miratuar ditën e sotme. Takimi i radhës është caktuar më 18 prill ku do të diskutohet në lidhje me zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve; përmbajtja, hartimi dhe miratimi i listës së zgjedhësve; dhe procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve.
Miratimi i projektligjit dhe eventualisht i projektligjeve te tjera të lidhura me të, pritet të miratohet deri më 1 korrik.
Plani i punës:
Tema dhe Çështje
Dispozita të përgjithshme: objekti, përkufizime dhe parime për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.
Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve:
– përmbajtja, hartimi dhe miratimi i listës së zgjedhësve;
– procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësve.
Regjistrimi i subjekteve zgjedhore, rregjistrimi i kandidatëve, zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 31, datë 04.10.2021 dhe nr. 28, datë 30.06.2021.
Votimi i shtetasve, administrimi dhe numërimi i votave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë Republikës së Shqipërisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 38, datë 9.12.2022.
Kufizimet dhe/ose ndalimet e parashikuara për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje.
Institucionet për përgatitjen dhe administrimin e zgedhjeve:
– Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve;
– Komisionet e nivelit të parë të Administrimit të Zgjedhjeve;
– Komisionet e nivelit të dytë të Administrimit të Votimit.
Infrastruktura e zgjedhjeve:
– Organizimi i infrastrukturës së zgjedhjeve;
– Përgatitja e dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimi i materialeve zgjedhore;
– Votimi;
– Kushtet për administrimin e votimit dhe rezultati zgjedhor;
– Teknologjia në zgjedhje, pilotimi, garancite e votimit dhe te procesit te numerimit;
– Transparenca e veprimtarisë së KQZ-së dhe organeve te tjera.
Fushata zgjedhore, monitorimi i fushatës zgjedhore dhe fushata zgjedhore në media audiovizive dhe në mediat sociale, si dhe ndalimet perkatëse.
Financimi i zgjedhjeve dhe i fushatës zgjedhore:
– financimi i zgjedhjeve;
– financimi i subjekteve zgjedhore;
– financimi i kundërligjshëm i zgjedhjeve dhe financimi i fushatave zgjedhore nga burime te huaja.
Ankimi administrativ, hetimi administrativ, sanksionet dhe ankimi gjyqësor.
Çështje të tjera për zgjedhjet perfshire sistemin zgjedhor, koalicionet parazgjedhore, përkthimi i drejtë i votës në mandate përfaqësimi, përfshirja apo jo e referendumeve si pjesë e Kodit Zgjedhor, si dhe forcimi dhe garantimi i lirise se votimit dhe ruajtjes së parimit të votës së fshehtë.
Grupi i Dialogut mund te vendosë me konsenus për diskutim edhe çështje të tjera që lidhen me zgjedhjet.
Hartimi i dispozitave sipas këtij Kalendari mund të kërkojë ndërhyrje legjislative në ligje të tjera si Kodi Penal, ligje te tjera, etj.
Miratimi në tërësi i projektligjit dhe eventualisht i projektligjeve te tjera të lidhura me të.
SHËNIM:
Projektligji duhet të depozitohet në Kuvend jo më vonë se data 1 korrik 2024.
Grupi i Ekspertëve Teknikë harton tekstin e dispozitave të reja të projektligjit sipas Kalendarit dhe ia paraqet ato për diskutim dhe miratim Grupit të Dialogut. Në përfundim të mbledhjes së Grupit reflektohen në tekstin e dispozitave përkatëse amendamentet e dakortësuara.
Në vijim teksti i dispozitave të miratuara publikohet në faqen e internetit të Kuvendit dhe njëkohësisht ftohen të gjithë të interesuarit të paraqesin mendimet dhe sugjerimet e tyre ne emailin e Sekretarisë së Grupit. Një kopje elektronike i dërgohet elektronikisht edhe OJF-ve vendase për të paraqitur komentet dhe vërejtjet e tyre ne lidhje me to.
Teksti i dispozitave të miratuara i dërgohet për mendim edhe ODIHR dhe organizatave të tjera ndërkombëtarë për ekspertizë. Në mënyrë të veçantë në rast se në Grupin e Dialogut nuk ka dakortësi politike për një çështje apo dispozita të caktuara, Grupi në mënyrë konsensuale dhe kur e konsideron të arsyeshme, i drejtohet për mendim këshillimor ODIHR-it duke i paraqitur çështjen për të cilën nuk ka dakortësi politike dhe eventualisht çdo material apo koment të anëtarëve në lidhje me të.
Shkresat drejtuar ish-Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, projektligjet e administruara për shqyrtim në lidhje me Kodin Zgjedhor, procesverbalet e seancave dëgjimore dhe çdo material tjetër drejtuar ish-Komisionit të Posaçëm administrohen nga Grupi i Dialogut dhe do të shërbëjnë për hartimin e dispozitave konkrete të ligjit të ri zgjedhor.