Reforma zgjedhore, shoqëria civile letër partive
Në lidhje me krizën politike dhe me ngërçin e krijuar me Reformën Zgjedhore, katër organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar me një letër partive politike, ku jo vetëm kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor por ofrojnë edhe dy propozime konkrete. Përfaqësuesit e shoqërisë civile gjykojnë se reforma zgjedhore duhet të prekë edhe ligjin për partitë, financimin e fushatave si dhe vetë rolin e forcave politike në menaxhimin e zgjedhjeve.
Katër organizatat, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (IDC), Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS), Instituti i Studimeve Politike (ISP) dhe Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), i janë drejtuar me një propozim partive politike në lidhje me reformën zgjedhore, ku kërkojnë nisjen urgjente të një procesi gjithëpërfshirës për ndryshimin e sistemit zgjedhor, reformimin e ligjit për partitë politike, financimin elektoral dhe administrimin e zgjedhjeve. Pikësëpari, këto organizata kërkojnë të jenë aktorë të këtij produkti, që sipas tyre i duhet lënë në dorë ekspertëve.
Organizatat e shoqërisë civile shprehen të vetëdijshme se asnjë sistem nuk është garanci në vetvete për zgjedhje me standarde të larta, ndaj apelojnë që të konsiderohet nevoja për një ligj të ri bashkëkohor për partitë politike, një ligj të ri mbi financimin elektoral, si dhe heqjen e monopolist të partive mbi procesin e administrimit zgjedhor.