Reformë e re për pensionet, ministri i Financave: Skemë më e mirë që siguron pensione më të larta
Në konferencën e parë si ministër i Financave, Petrit Malaj njoftoi ndërmarrjen e një reforme në skemën e pensioneve, çështje të cilën e konsideron si sfidë personale.
“Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.
Tjetër sfidë për ministrin e ri është përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe administrimi i kujdesshëm i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik. Kreu i financave foli për performancë pozitive të ekonomisë gjatë këtij 7-mujori, ndërsa theksoi se parashikohet ulje e nivelit të borxhit.