Reformë zgjedhore pa opozitën? Rama: Jemi në kushte emergjence për…

Kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi është në kushte të emergjencës për t’ju përgjigjur kërkesës së Bundestagut gjerman në kuadër të çeljes së negociatës, siç është miratimi i reformës zgjedhore.

I ftuar në emisionin “Real Story” në “News24” kreu i qeverisë tha se reformat zgjedhore në Shqipëri janë bërë mbi bazën e sigurimi të 84 votave.

“Reforma zgjedhore në Shqipëri janë bërë mbi bazën e votës, pra për të siguruar 84 vota. Pa ato vota s’ka qenë e mundur. Nuk jemi në kushte normale, jo për shkak të krizës politike, por jemi në kushte emergjence për t’ju përgjigjur kërkesës së Bundestagut, që me gjasë do të votohen nga BE për çeljen e negociatave nëse Franca dhe Holanda do të bashkohen me ‘Po’”, -tha Rama.

Ndërkohë, pyetjes së gazetarit nëse në vend ka krizë politike, Rama iu përgjigj se: “Ju këtë mendoni se nuk jetoni dot pa krizën në vend. Se i bie që nuk keni punë. Skam parë kërkesë të tillë. Kam parë që ka një kërkesë për të kaluar reformën zgjedhore në parlament me rekomandimet e OSBE/ODHIR. Ata nuk duan depolitizimin e komisioneve. Komisionet nuk do të jenë përfaqësues të partive”.

Kujtojmë se maxhoranca i ka bërë thirrje opozitës që t’i bashkohet tryezës për reformën zgjedhore, për të vijuar kështu plotësimin e një nga kushteve të vendosura nga BE për çeljen e negociatave.

SHKARKO APP